Meta: Zgjedhjet e 13 tetorit, domosdoshmëri
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është duke vazhduar të përcjellë mesazhe të forta politike nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”.
Meta edhe kësaj radhe i është rikthyer sërish qëndrimeve të tij të bëra publike në qershor të vitit të shkuar, duke risjellë një deklaratë të bërë më 27 qershor 2018.
Meta ka shprehur vendosmërinë që zgjedhjet vendore të mbahen më 13 tetor, pavarësisht se më 30 qershor ishin mbajtur një palë zgjedhje të tilla, por pa pjesëmarrjen e opozitës.
Presidenti Meta ka thënë se zgjedhjet e 13 tetorit janë jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një domosdoshmëri.
Postimi i plotë i Metës:
Të dashur miq!
Po ju rikujtoj qëndrimin tim publik në 27 qershor 2018, një ditë pasi ishin bërë të njohura konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian!
Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqendrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet.
Ndërkohë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse.
Ende kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t’i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.
Askush të mos lodhet të gjejë justifikime dhe alibi nëse nuk reflekton. Çdo gjë mund të lobohet në BE, por jo injorimi i kritereve të Kopenhagenit. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e tyre dhe të paevitueshme.
Ndaj duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore sa më parë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësi të çelë negociatat në 18 tetor 2019.
– 27 qershor 2018 –
Ashtu siç kaloi një ditë, do kalojë dhe një vit. Konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri.
Ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE.
Kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim.
/Epoka e re/