
Metaj: Zjarret në Drenas, Kamenicë dhe Malishevë janë shkaktuar nga dora e njeriut
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka mbajtur një konferencë për medie lidhur me situatën aktuale të zjarreve, ku drejtori ekzekutiv, Genc Metaj, ka thënë se situata është serioze.
Sipas Metajt, kjo situatë paraqet rrezik edhe për qytetarët.
Para gazetarëve, ai ka thënë se nga data 7 deri 10 mars janë regjistruar 290 raste të zjarreve, dhe se ato më serioze janë në Drenas, Kamenicë dhe Malishevë, e që sipas tij arsyeja janë dora e njeriut.
“Kjo gjendje paraqet rrezik për qytetarët dhe në ditët e fundit është ndjerë kjo gjendje. AME është aktivizuar në shuarjen e zjarreve dhe nga statistikat që kemi marrë është si në vijim: Vetëm në javën e parë 57 raste të zjarrit, ndërsa nga data 7 deri më 10 mbi 290 raste të zjarreve kanë qenë. Zjarret më serioze janë në Drenas, Kamenicë dhe Malishevë. Nëse flasim për shkaqet janë kryesisht dora e njeriut dhe ne si AME kemi ngrit gjendjen e gatishmërisë dhe që nga sot do të fillojmë patrullimin në tërë Kosovën”, ka thënë ai në konferencën për media.