Metodat hitleriane dhe gebelsiane të Milosheviqit (2)

10 dhjetor 2024 | 11:13

Anatomia e nazizmit serb: Slobodan Milosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (2)

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

Cilat ishin ngjashmëritë e veprimit politik dhe e përdorimit të metodave në pushtet, midis Hitlerit dhe Milosheviqit? Pse për Hitlerin, duhej me çdo kusht rrëzuar, Marrëveshjen e Versajës, kurse për Milosheviqin duhej shkatërruar fillimisht Kushtetutën e vitit 1974, të Kosovës si “burimin e të gjitha pabarazive të Serbisë”? Hitleri propagonte luftën imediate kundër “bolshevizmit dhe marskizmit”, kurse Milosheviqi udhëhiqte fushatën e luftës kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Ne shqiptarëve na kishte cilësuar, krahasuar me çifutët!

Me metodat hitleriane dhe gebelsiane

Me t’u zgjedhur në krye të komunisteve të Beogradit ai kishte vlerësuar se për momentin dhe për karrierën e mëtutjeshme më së shumti do t’i shërbente kthimi i besimit të luhatur në komunizmin, dhe koketimi servil me pushtetarët në Serbi, në mesin e të cilëve e kishte edhe mikun dhe përkrahësin e tij të madh, Ivan Stamboliqin. Pushteti i asaj kohe në Serbi ishte i lëkundur, nuk qëndronte në pozicionet e forta, burokracia ndërsa frikohej për humbjen e privilegjeve, ndaj, e dëshironte një personalitet të fuqishëm i cili do ta përkrah statusin e asaj burokracie dhe ajo që ishte më kryesorja do ta ringjallte forcën e Partisë. Millosheviqi ishte ai profil, ai model, ai personalitet politik sipas masës së aparatit të atëhershëm partiak serb dhe atij jugosllav. Prandaj, nga ditët e para të sundimit të tij, Millosheviqi kishte hyrë me guxim të pashembullt në konflikte dhe luftëra politike duke u imponuar pakufishëm dhe pa kushte si personalitet për të cilin nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë pengesa. Nuk ishte e vështir të hetoheshin ambiciet e tij të mëdha për pushtet të pakufishëm dhe për liderizëm, ndërkohë që miku dhe përkrahësi i tij kryesor, Ivan Stamboliqi ende nuk ishte i sigurt për këto objektiva dhe qëllime të shokut të tij të jetës dhe bashkëpunëtorit politik. Sigurisht se vet Stamboliqi ishte i mendimit se nuk ka pse të frikohej prej ambiciet e Millosheviqit, meqenëse edhe ai vet kishte plane të tilla politike për forcim të pushtetit dhe krijimin e një ekipi të ri dhe të fuqishëm politik e pushtetar, në Serbi. Madje, kishte vlerësime se Stamboliqi edhe vet i ushqente ambiciet dhe planet e Millosheviqit për sa më shumë pushtet i cili më vonë do të shndërrohej në diktaturë dhe totalitarizëm me emblemën e fashizmit serb.
Ngritjen e tij, Millosheviqi e kishte përshpejtuar me përvetësimin e mediave kryesore shtetërore, fillimisht të të përditshmes “Politika”, si dhe me futjen në metodën e veprimit politik të modelit të njohur “ përçaj dhe sundo”, e cila metodë i kishte dhënë rezultatet e para pikërisht në media.
Millosheviqi pra, sikur në stilin e metodave hitleriane apo gebelsiane, kishte hulumtuar dhe gjetur mjete efikase për nënshtrimin e mediave. Ai në këtë plan nuk përdorte, sikur dikur më parë paraardhësit e tij, urdhëresa të komiteteve të partisë dhe dënime, por se në udhëheqjen e Komitetit të qytetit të Beogradit kishte tubuar kuadro të tilla politike, kryesisht gazetarë, të cilët i shërbenin me devotshmëri Millosheviqit. Veçmas e kishte aktivizuar Komisionin për informim në LK të Qytetit të Beogradit, ku bënin pjesë gazetarë të cilët i njihnin shumë mirë rrethanat nëpër redaksitë beogradase. Anëtarët e Komisionit në fjalë kishin aq shumë ingjerenca sa që shumë shpejt u futën frikën udhëheqësve të mediave në Beograd. Nga rrethi i këtyre gazetarëve më pas përgatiten ekipe të tëra që zgjedhën në detyrat e redaktorëve, komentatorëve, analistëve, etj., nëpër shtypin e shkruar dhe ata elektronik serb.

Kush e përkrahu ardhjen e Millosheviqit në pushtet?

Fitorja e tij e parë e rëndësishme politike e Millosheviqit lidhet me të ashtuquajturin “kthimin e marksizmit”. Në periudhën e pakënaqësive të përgjithshme për shkak të përmbajtjes dhe vet lëndës së arsimimit marksist ishte manifestuar dëshira dhe vullneti, madje edhe në forume partiake, që arsimi të reformohej. Mirëpo, rezistenca më e madhe për këtë reformim vinte pikërisht nga universiteti, nga grupi ideologjik i Mirjana Markoviqit, në të cilin grup veçmas dalloheshin, Milosh Aleksiç, Danilo Zh. Markoviq (më vonë ministër serb i arsimit), Vlajko Petkoviq, Nebojsha Majlkoviq, Jagosh Puriq, Radosh Smilkoviq dhe Vladimir Shtambuk, (më vonë sekretar i Komitetit të LK të Universitetit të Beogradit dhe anëtar i Kryesisë së KQ të LK të Serbisë). Kjo rryme intelektuale, elitiste serbe por para se gjithash edhe politike kishte shënuar fitore në mbledhjen dramatike të KQ të LK të Serbisë mbajtur më 17 korrik 1985, dhe e kishte sugjeruar emrin e Millosheviqit për kryetar të ardhshëm të komunistëve të Serbisë. Në atë kohë Millosheviqi i kishte akuzuar reformatorët e arsimit, se “ata po i lajnë duart nga socializmi” duke u bërë thirrje që të dalin nga radhët e KQ të LK të Serbisë. Vlerësohet se në këtë luftë politike, humbës doli vija liberale e LK të Serbisë dhe njëherit me këtë edhe u bë hapi i parë në rrugën drejt krijimit të prijësit të ri, kultit të ri, “vozhdit” serb.

Millosheviqi nuk ia linte rastësisë asnjë detaj, prandaj së bashku me ekipin e tij funksiononte në mënyrë perfekte, duke grabitur nga dita në ditë sa më shumë pushtet, madje edhe prej atyre që e kishin përkrahur në ngritjen e tij prej karrierës. Makineria e ekipit të Millosheviqit funksiononte me precizitet , pa kompromise dhe pa gabime. Me një saktësi gati se absolute, Millosheviqi i kishte matur mundësit e zgjerimit dhe forcimit të pushtetit të tij, si dhe e kishte përpunuar saktë programin e tij politik i cili garantonte sukses: burokracisë së frikësuar, i kishte ofruar siguri dhe mbetje në pushtet, e fitoi përkrahjen absolute, të pakontestueshme të Petar Stamboliqit, Nikola Lubiqiqit, Dobrivoje Vidiqit, dhe të Dushan Shkrebiqit, ndërkohë që, lidhjet me Ivan Stamboliqin, njeriun kyç në politikën e atëhershme kuadrore të Serbisë, veçse po i forconte dhe po i bënte të sigurta. Me gjithë këtë projekt politik, Slobodan Milosheviqi, edhe me mësimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Mirjana Markoviqit, synonte të bëhej lider gjithëkombëtar serb. Në fakt, të gjithë kuadrot e atëhershme udhëheqëse serbe, të përmendura më lartë ishin të mendimit se tek Millosheviqi kishin gjetur “njeriun e vërtetë”, “komunistin e vërtetë” i cili do ti realizojë synimet e politikës serbe të periudhës pastitiste dhe i cili njëherit do të ngelë nën hijen e tyre. Historia e mëvonshme e ngjarjeve në Serbi dhe përgjithësisht në ish Jugosllavi i demantoi keq dhe bindshëm pritjet e politikajve të vjetër serbë të cilët edhe pas fillimit të luftërave në ish Jugosllavi, vazhduan ta përkrahnin politikën milosheviqiane. Nuk kishte edhe rrugë tjetër, duke qenë se politika e Slobodan Millosheviqit ishte personifikim i politikës së elitës së atëhershme udhëheqëse serbe, pra e vet Serbisë.

Ngritja e shpejt dhe e papenguar politike e Slobodan Milosheviqit vazhdon edhe në janarin e vitit 1986. Gjithçka ishte e përgatitur për te. Në udhëheqjen partiake erdhi deri te ndryshimet e pritura kuadrore. Ivan Stamboliqi u zgjodh kryetar i Republikës së Serbisë kurse mbetej të zgjidhej kryetari i ri i KQ të LK të Serbisë. Zgjedhja e kryetarit të komunistëve serbë për shumë çka varej nga Ivan Stamboliqi dhe ndikimi i tij, por edhe ndikimi i gardës së vjetër të udhëheqësve shtetëror dhe partiak serbë. Mirëpo, Millosheviqi nuk kishte pse të brengosej, sepse thuajse të gjithë pa përjashtim i kishte bërë për vete.

Gjenerali titist, Nikola Lubiqiq në një paraqitje të tij, në takimin e mbyllur të udhëheqjes partiake serbe, duke e paraqitur, mbështetur dhe arsyetuar propozimin që Slobodan Millosheviqi të zgjidhet kryetar i KQ të LK të Serbisë ndër të tjera kishte thënë “Slobodani është i angazhuar në luftë kundër nacionalizmit, kundër liberalizmit dhe kundër të gjitha formave të kundër-revolucionit në Beograd. Unë e kam përjetuar Slobodan Millosheviqin si luftëtar kundër kundërrevolucionit dhe do të doja që ai këtë aktivitet a vazhdojë, edhe me më shumë sukses”.

Megjithatë, çështja e zgjedhjes së Slobodan Millosheviqit për kryetar të KQ të LK të Serbisë nuk kishte kaluar edhe aq lehtë dhe pa mosmarrëveshje aq të mëdha, të cilat e kishin ndarë edhe vetë udhëheqjen e atëhershme serbe. Madje, kronistët e kohës dhe të të atyre zhvillimeve shënojnë se asnjëherë në historinë e Partisë komuniste serbe nuk kishte pasur aq konflikte, dhe mosdurim më të madh sesa me rastin e zgjedhjes së Millosheviqit për kryetar i KQ të LK të Serbisë. Madje si kandidatë të mundshëm për kryetar kishte pasur tetë veta: Slobodan Millosheviqi, Radish Gaqiqi, Shpiro Galoviqi, Drazha Markoviqi, Slobodan Gligorijeviq Ajga, Bogdan Trifunoviqi, Zhika Radojloviqi dhe Ivan Stamboliqi (që sërish të ngel në postin e mëparshëm). Dëshmitarët e atyre mbledhjeve flasin se megjithatë më meritori që, për pak kishte kaluar kandidatura e Slobodan Millosheviqit ishte pikërisht shoku, miku i tij Ivan Stamboliqi. Ai, madje nuk kishte lejuar që të shkohet me më shumë kandidatë në votimin për kryetar të KQ të LK të Serbisë. Duke u hedhur në mbrojtje absolute të kandidaturës së Slobodan Millosheviqit, Stamboliqi ndër të tjera kishte thënë: “Ne nuk jemi nisur nga një kandidat, mirëpo deri te ai jemi ardhur”!

Pas kësaj mbledhje të gjatë dhe shumë të mundimshme, Stamboliqi dhe Millosheviqi kishin shkuar në një kafene beogradase ku më vonë iu kishte bashkangjitur edhe protagonisti i tretë kryesor i kësaj historie të shkurtër serbe, Dragish Pavloviqi, i cili më pas do ta zinte vendin e Millosheviqit si kryetar i Komitetit të LK të qytetit të Beogradit. Pra, ishte ai takim joformal i tre personaliteteve të ardhshme udhëheqëse më të fuqishmes të kohës, në Serbi, (kryetar i Republikës të Serbisë, kryetar i KQ të LK të Serbisë dhe kryetar i LK Komitetit të qytetit të Beogradit). Qielli sikur ishte hapur asaj nate për këta tre udhëheqës serbë, dy prej të cilëve nuk do të jenë të gjallë në kohën kur Millosheviqi dërgohet në Hagë, si kriminel lufte. Mirëpo, ishte ajo njëherit edhe ndeja e tyre e fundit aq e këndshme.
Të nesërmen, herët në mëngjes Millosheviqi ishte nisur për në fshatin Brezova, 220 kilometra larg Beogradit, për ta lajmëruar Petar Stamboliqin lidhur me mbledhjen e Kryesisë së KQ të LK të Serbisë. Petar Stamboliqi, i pensionuar (1984) ishte një politikan autoritativ serb i cili nuk mund të tejkalohej as në zhvillimet politike të atyre viteve në Serbi. Kuptohej se, Petar Stamboliqi nuk e kuptonte deri në fund dinakërinë e Millosheviqit, prandaj entuziazmohej me te. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajner i Real Madridit, Carlo Ancelotti para ndeshjes kundër Atalantës,…