‘Metodë e UDB-së’, KMDLNj-ja reagon pas bastisjes dhe arrestimit të Haxhi Shalës nga Specialja
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas bastisjes si dhe ndalimit së ish-deputetit dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala nga Gjykata Speciale, në Hagë.
Përmes një reagimi për media, KMDLNj-ja ka theksuar se të hënën persona të paidentifikuar në Banjë të Malishevës kanë bastisur shtëpinë e Shalës dhe më vonë të njëjtin e kanë dërguar tek zyrat e EULEX-it, në Prishtinë.
Në reagim është thënë se “sipas informatave të KMDLNj-së, paramilitarët e Gjykatës Speciale nuk kanë shenja identifikuese”.
Po ashtu, KMDLNj-ja ka vlerësuar se arsyetimi i Gjykatës Speciale për bastisje dhe arrestime është e njëjta metodë që e ka zbatuar UDB-ja.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
Më 11 dhjetor, persona të paidentifikuar në Banjë të Malishevës bastisën shtëpinë e luftëtarit të UÇK-së dhe më vonë deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala të cilin e dërguan në bazën burg të EULEX-it për ta marrë në pyetje. Kohë më parë i kishin konfiskuar telefonin. Haxhi Shala, i privuar nga liria natën e kaloi në bazën burg të EULEX-it, pa u informuar nga askush ai dhe familja e tij për fatin e tij.
Dyshimet janë se sot do të dërgohet në Burgun e Gjykatës Raciste Speciale në Hagë ku po mbahen peng edhe 8 ushtarë të UÇK-së disa prej të cilëve në çastin e arrestimit ishin bartës të posteve më të larta politike dhe institucionale të Kosovës. Sipas informatave të KMDLNj-së, paramilitarët e Gjykatës Speciale që nuk kanë shenja identifikuese po tregohen të kujdesshëm gjatë bastisjeve për të krijuar një përshtypje se po i respektojnë standardet ligjore dhe të drejtave të njeriut gjatë këtyre inkursioneve kundër ushtarëve të UÇK-së dhe përkrahësve të tyre. Gjatë bastisjeve i pranishëm është edhe avokati të cilin e propozon i dyshuari.
Është mbase jo vetëm koincidencë e rastit edhe kërcënimi që gjatë vizitës së fundit në Prishtinë e shpërndau Ekaterina Trandafilova, kryetare e parapaguar e kësaj gjykate se Hashim Thaçi, president i Kosovës, Jakup Krasniqi për dy mandate kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit dhe Rexhep Selimi, shef i GP të LV–së mund të dënohen me burg të përjetshëm dhe se bastisjet dhe aksionet tjera inkursuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ky kërcënimi mbase u sforcua edhe pas takimit publik me disa ambasadorë sikur edhe pas takimit me disa udhëheqës politikë kosovarë e që takimet nuk u bënë publike. Kërcënimet i vazhdoi edhe pasi u kthye në Hagë pas së cilës ishin tre bastisje dhe një arrestim, ky i Haxhi Shalës. Sipas informatave të KMDLNj-së nga terreni pakënaqësitë me këto bastisje nga persona të paidentifikuar dhe të panjohur në kohën kur kjo gjykatë policët e Kosovës i angazhon si “punëtorë krahu“ për të rregulluar trafikun dhe për të krijuar përshtypje krejtësisht mashtruese se edhe Policia e Kosovës është pjesë aktive e këtij inkuizicioni përndjekës është në rritje dhe mund të dalë jashtë kontrollit.
Arsyetimi i kësaj Gjykate për arrestime dhe bastisje është “pengimi i administrimit të drejtësisë“ paraqet “carta bianca” për veprime të pakufizuara dhe të pakontrolluara nga askush e, më së paku nga institucionet e Kosovës që nominalisht janë themelues të kësaj Gjykate. Në kohën e regjimit të ish-Jugosllavisë, UDB-ja serbe dhe jugosllave kishte shpikur një nen inkriminues që sanksiononte fjalën e lirë dhe lirinë e mendimit duke dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri më 10 vjet të gjithë ata që flisnin për lirinë e shqiptarëve apo edhe që mendonin se duhet të jenë të barabartë me të tjerët. Ky nen ishte aq fleksibili sa krijonte mundësi të pakufishme për të burgosur, rrahur, vrarë dhe dënuar shqiptarë që e donin lirinë, qoftë edhe si ide, pa e ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Gjykata Speciale Raciste po e përdorë të njëjtën metodë që e ka zbatuar UDB-ja përmes ligjit për pengim të administrimit të drejtësisë mund të bastisë dhe arrestojë të gjithë ata që nuk duan të bëhen dëshmitarë, që përkrahin luftën e UÇK-së apo që nuk pajtohen me këtë Gjykatë. Mjafton që ndonjë dëshmitar i mbrojtur ta përmend emrin dhe paramilitarët e Speciales do t’i keni në shtëpi. Gjykata Speciale po përdorë dëshmitarë me dëshmi të sajuara, informatorë të BIA-s serbe dhe dëshmitarë të rekrutuar nga sigurimi serb, dëshmitarë të prokurorisë serbe dhe dëshmitarë nga Kosova të joshur me shumë përfitime, para, ndryshim të identiteti dhe strehim në një vend tjetër.
KMDLNj-ja denoncon publikisht këto kërcënime nga kryetarja Trandafilova si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që po mbahen në Hagë për faktin se në mënyrë flagrante po e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë pasi i shpallë fajtorë të akuzuarit, ende pa përfunduar procesi gjyqësor.
KMDLNj-ja denoncon botërisht sajimin e përgjimeve ndaj pengjeve që po mbahen në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë pas së cilave, me propozim të PS ndaj tyre janë marrë masa represive si ndalimi i vizitave të paprivilegjuara dhe bisedave telefonike. KMDLNj-ja denoncon publikisht deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk kërkojnë raport nga kjo gjykatë për respektimin dhe shkeljen e identifikuara të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria pasi po ky Kuvend ka votuar themelimin e kësaj gjykate.