Mevlan Zeka, ‘Ylli i javës’ në Superligë

15 maj 2023 | 12:00

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 34-të në elitë i ka takuar futbollistit të SC Gjilani, Mevlan Zeka.

Komisioni i veteranëve të futbollit vendosi që epiteti i yllit të javës për këtë javë t’i takojë futbollistit të SC Gjilani, pasi ai në ndeshjen kundër Dritës ishte njëri nga më të angazhuarit dhe tregoi lojë shumë të mirë. Përveç kësaj, ai realizoi edhe golin e barazimit nga penalltia, duke qenë më meritori që Gjilani mori një pikë në derbi.

Çmimin “Ylli i javës” për futbollistin e SC Gjilani, Mevlan Zeka e ndau Eris Veliu, dizajner grafik në Albi Mall.

Sulmuesi anësor i SC Gjilani u shpreh i lumtur që mori këtë çmim, derisa theksoi se skuadra e tij është afër arritjes së objektivave të këtij edicioni.

“Kënaqësi e veçantë të shpallesh ‘Ylli i javës” sidomos në ndeshjen derbi të qytetit, kur dihet rivaliteti i dy klubeve. Personalisht po kaloj në një formë të mirë tek SC Gjilani dhe po e ndihmoj skuadrën drejt arritjes së objektivave, pasi tani jemi në finale të Kupës dhe shumë afër sigurimit të plasmanit në Evropë. Për formën timen padyshim që duhet të falënderoj bashkëlojtarët dhe shtabin teknik, të cilët më kanë ndihmuar shumë. Ky çmim i dedikohet tifozëve ‘Skifterat’, të cilët pavarësisht rrugëtimit tonë, e që nuk ka qenë i lehtë, na kanë qëndruar gjithmonë afër gjatë tërë vitit”, ka thënë Zeka për faqen zyrtare të FFK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka publikuar në “Facebook” pamjet…