
Mexhiti merr pjesë në pritjen shtetërore për 17-vjetorin e Pavarësisë: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, mori pjesë në ceremoninë e pritjes shtetërore për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ai ka theksuar se Kosova është dëshmi e gjallë e shpirtit të pamposhtur shqiptar dhe një histori triumfi të përkushtimit dhe sakrificës për liri e shtetndërtim.
“Në këto 17 vite, ajo ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve dhe përparimit në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ky rrugëtim është frymëzim edhe për ne në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët kanë qenë dhe mbeten faktor kyç në zhvillimin demokratik dhe europian të vendit”.
“Mbështetja jonë për Kosovën nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë e lëkundur. Bashkëpunimi i ngushtë me Kosovën, është detyrë dhe amanet i historisë sonë të përbashkët. Vetëm përmes të lidhjeve tona të forta politike, ekonomike dhe kulturore mund të kontribuojmë për një të ardhme më të qëndrueshme, të begatë dhe të integruar për gjithë rajonin. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Uroj që flamuri i lirë i Kosovës të valëvitet gjithmonë me krenari dhe dinjitet!”, ka deklaruar Mexhiti.