Mezani: Derbi ndaj Dritës, jetik për Gjilanin
Xhiroja e parafundit në Superligën e futbollit elitar do të zhvillohet të shtunën, ndërsa pritet që shumë ndeshje të jenë derbi të zjarrtë. Normalisht se vëmendja e madhe do të jetë në dy sfida Llapi – Ballkani dhe Gjilani – Drita, raporton “Epoka e re”.
Një ditë para ndeshjes, trajneri i Gjilanit, Gentian Mezani, e ka quajtur jetike sfidën ndaj rivales nga qyteti i Gjilanit, Dritës. Ai kërkon tri pikë nga kjo ndeshje për ta vazhduar fuqishëm garën për t’iu shmangur pozitës që e dërgon skuadrën në barazh.
“Jemi para një ndeshje që është shumë e rëndësishme për ne, pasi për kundërshtarin është vetëm një ndeshje e radhës dhe, pa diskutim, një derbi. Për ne është një sfidë jetike. Rezultati i vetëm që na konvenon është fitorja. Jemi mundur që gjatë kësaj jave të bëjmë më të mirën e mundshme dhe i kemi përmirësuar gabimet që i kemi bërë javët e fundit. Duhet t’i marrim tri pikë për të qenë më të qetë për ndeshjen ndaj Dukagjinit”, ka thënë Mezani.