Mezani: Duam titullin kampion
Gentian Mezani mori drejtimin e skuadrës së Gjilanit, një ekip modest, por që falë projektit që trajneri vlonjat kishte dhe afrimin e disa lojtarëve me “peshë” nga Superiorja skuadra është në rrugën e duhur.
Tashmë që është mbyllur pjesa e parë e sezonit në IPKO Superligën e Kosovës, Mezani në një prononcim për “Rtshsport” është shprehur: “Mendoj që kemi bërë një kampionat të mirë deri më tani, jemi brenda objektivave dhe synimi ka qenë që të jemi në hapa me skuadrat e tjera”.
“Kam besim, se deri në fund do të jemi një ekip me ambicie dhe synime madhore. Objektivi është mbërritja në Kupat e Evropës, por në varësi edhe të merkatos dhe të ardhmes. Ky është synimi ynë parësor”, ka shtuar ai.
Shpesh te drejtuesit dhe lojtarët është dëgjuar edhe titulli, por trajneri kërkon që të mbajë me “këmbë në tokë” skuadrën e tij. “Vërtetë e kemi mbyllur në vendin e dytë, por skuadra ka pasur rritje, ka kualitete dhe me ndonjë afrim që mund të jetë efikas dhe të bëj diferencën, pse jo mund të shohim edhe për më shumë te titulli kampion”, ka deklaruar Mezani.