“Mezi pres t’ju shoh”, Dua Lipa, koncert në Tiranë më 28 nëntor
Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa, do të jetë në Tiranë për Ditën e Pavarësisë, për të zhvilluar një koncert.
Ishte vetë këngëtarja shqiptare që dha lajmin e bukur, përmes një mesazhi në Instagram. Jam shumë e lumtur të njoftoj se koncerti i fundit i turit “Future Nostalgia” do të mbahet në Tiranë, më 28 nëntor. Mezi po pres t’iu shoh më 28 nëntor për Ditën e Flamurit dhe 110-vjetorin e Pavarësisë”, tha ajo.
Dua ndodhet momentalisht në Australi, ku zhvillon koncertin e fundit atje. Më parë dha koncert edhe në Zelandën e Re. Turi “Future Nostalgia” i këngëtares ka nisur më 9 shkurt 2022 në Majami, SHBA. Përgjatë gjithë këtyre muajve, këngëtarja më në zë e momentit ka organizuar koncerte në disa shtete të botës, në Amerikën e Veriut, Europë, Amerikën e Jugut dhe Oqeani.
Turi ka qenë një ndër më të suksesshmit në industrinë e muzikës, me qindra mijëra bileta të shitura në të gjithë botën dhe dhjetëra miliona dollarë arkëtime. Koncerti i veçantë me më shumë arkëtime ishte ai në Inglewood, Kaliforni, ku u shitën 30 270 bileta dhe u arkëtuan, mbi 3,2 milionë dollarë.
Pak ditë më parë, Dua përgënjeshtroi lajmet se do të këndonte në ceremoninë hapëse të Kupës së Botës 2022. “Aktualisht, ka shumë spekulime se unë do të jem pjesë e ceremonisë hapëse në Botërorin e Katarit. Ju bëj me dije se nuk do të performoj në Katar, madje nuk kam qenë as në negociata për ta bërë diçka të tillë. Do të bëj tifo për Anglinë nga larg dhe pres që ta vizitoj Katarin në momentin kur të respektojë të drejtat e njerëzve, ashtu siç premtoi kur fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës”, shkroi ajo në një postim në Instagram Story.