MFPT lanson platformën elektronike për trajnimin e punëtorëve dhe punëdhënësve për siguri dhe shëndet në punë

17 dhjetor 2024 | 15:45

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka lansuar platformën elektronike përmes së cilës punëtorët dhe punëdhënësit mund të trajnohen në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Deri tani, shumë punëdhënës kanë hasur vështirësi duke paguar kosto të larta për hartimin e dokumenteve të vlerësimit të rrezikut në vendin e punës.

Ndërsa, tash e tutje, përmes këtyre trajnimeve, punëdhënësit do të mësojnë të identifikojnë, të vlerësojnë rreziqet në kompanitë me rrezik të ulët si dhe të hartojnë dokumentin për vlerësimin e rrezikut. Për më tepër, ata do të trajnohen për të reaguar në situata emergjente si zjarri, puna në lartësi, dhe rreziqe të tjera që mund të kërcënojnë sigurinë e punëtorëve.

Në anën tjetër, punëtorët do të trajnohen si të reagojnë në situata të ndryshme rreziku për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre dhe të personave tjerë që kanë përreth.

Këto trajnime janë mundësuar me mbështetje teknike nga Organizata Ndërkombëtare e Punës në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës dhe aktualisht janë në fazën e pilotimit.

Punëdhënësit dhe punëtorët në kompani me rrezik të ulët mund të trajnohen përmes vegëzave të mëposhtme në pesë module të veçanta. Pas përfundimit me sukses të trajnimit, të trajnuarit pajisen me certifikatë e cila mund të ruhet në dosjen e punëdhënësit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në…