MFSK-ja: Sulmet mbi pjesëtarët serbë të FSK-së, akte kriminale
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) ka reaguar kundër djegies se veturës të pjesëtarit serb të FSK-së, J.J, në fshatin Zupq të Komunës së Zubin Potokut.
MFSK-ja ka vlerësuar se sulmet e tilla janë akte kriminale dhe të dënueshme.
“Këto akte kriminale bëhen me qellim që të frikësojnë pjesëtarët e FSK-së, nga qarqet kriminale dhe nacionaliste serbe në pjesën veriore, të cilat shprehin urrejtje dhe papajtueshmëri me integrimet, zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës”.
“Ministria e FSK-së dhe FSK-ja qëndrojnë fuqishëm në mbështetje të pjesëtarëve të saj, të cilët përkundër kërcënimeve dhe dëmtimeve reale të pasurisë së tyre, vazhdojnë të jenë pjesë e FSK-së dhe të shërbejnë me dinjitet në kryerjen e obligimeve të tyre si pjesëtarë të FSK-së. Prandaj MFSK-ja kërkon nga institucionet shtetërore të Kosovës, Policia e Kosovës dhe KFOR-i, që të angazhohen seriozisht, me tërë fuqinë e ligjit, që të dalin në mbrojtje të jetës dhe pasurisë së pjesëtarëve të FSK-së, që të lihen të lirë të realizojnë të drejtat e tyre si qytetarë dhe si njerëz të lirë në përzgjedhjen e perspektivës së tyre jetësore”, është thënë në reagimin e MFSK-së.
Sipas këtij reagimi, Kosova dhe faktori ndërkombëtar duhet të garantojnë liri dhe siguri të plotë për të gjithë qytetarët, pavarësisht se në cilën pjesë të Kosovës jetojnë.
/Epoka e re/