![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/02/ruget.jpg)
MI-ja: Të gjitha rrugët nën mbikëqyrjen tonë janë të kalueshme
Ministria e Infrastrukturës (MI) ka njoftuar qytetarët se të gjitha rrugët janë të kalueshme për qarkullim të automjeteve.
Sipas kësaj ministrie, përkundër reshjeve të pandërprera të borës dhe temperaturave të ulëta, kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje të rrugëve në kompetencë të MI-së, në vazhdimësi janë duke pastruar rrugët nga bora dhe duke parandaluar ngricat e mundshme me hedhje të kripës.
“Theksojmë se MI-ja, me 14 kompani të kontraktuara për 7 regjionet e Republikës së Kosovës dhe 4 për autostradat, ka në përgjegjësi mirëmbajtjen e rrugëve rajonale, magjistrale, nacionale e autostradat dhe jo rrugët komunale. Ministria është e gatshme që të ndihmojë secilën komunë, në rast të pranimit të kërkesave zyrtare”.
“Ministria e Infrastrukturës bën thirrje për të gjithë vozitësit që t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së makinave, me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme në trafikun rrugor”, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës.