Miami dhe Philadelphia nuk ndalen, fiton edhe Portlandi
Ishin vetëm katër sfidat në mbrëmjen e NBA, por emocionet dhe spektakli nuk munguan. Dueli më i luftuar ishte ai që u zhvillua në “American Airlines Arena” të Miamit, aty ku Heats mposhtën pas kohës shtesë me shifrat 135-121 Atlanta Hawks. Për të udhëhequr Miamin drejt fitores së 3-të radhazi dhe të 18-ës sezonale mendoi treshja Nunn-Robinson-Adebayo. I pari rezultoi pikëshënuesi më i mirë i sfidës me 36 pikë, ndërkohë që Adebayo ishte thjeshtë fantastik me një triple-double prej 30 pikësh 11 rikuperimesh poshtë tabelës dhe 11 asistimeve.
Skuadra nga Georgia rezistoi shumë mirë në katër periodat e kohës së rregullt të cilat u mbyllën në barazim 117-117, por Miami në 5 minutat e shtesës bëri vërtetë diferencën dhe falë një rezultati të pjesshëm 18-4, fitoi bindshëm ndeshjen. U rikthye te suksesi pas dy humbjesh, Portland Trail Blazzers. Në “Moda Center” të Oregonit, Damian Lillard realizoi 31 pikë në suksesin 115-87 të Portland ndaj New York Knicks. Paraqitje pozitive edhe Carmelo Anthony-t ndaj ish-skuadrës së tij, me Melon që realizoi 16 pikë.
Vijon forma e mirë e Philadelphia 76-ers që mori fitoren e 8-të në 10 ndeshjet e fundit, falë suksesit 97-92 ndaj Denver Nuggets që në krahun tjetër vazhdon rënien e lirë. Për 76-ers më i miri mbi parket ishte i përhershmi Joel Embiid autori i 22 pikëve por edhe 10 reboundeve dhe 6 asistimeve. Një fitore të rëndësishme mori edhe Charlotte Hornets që kaloi me rezultatin 114-107 Washington Wizards. /SS/
Rezultatet
Charlotte – Washington 114-107
Miami – Atlanta 135-121
Philadelphia – Denver 97-92
Portland – New York 115-87