Michael Karnavas: Gjykata Speciale do të zgjasë edhe 5 apo 10 vite, mund të ketë arrestime të tjera!

31 mars 2025 | 17:40

Michael Karnavas, avokat amerikan e njohës i të drejtës ndërkombëtare penale, që është i akredituar edhe nga Gjykata Speciale ka ndarë mendimin e tij mbi proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.

Karnavas për GazetaBlic tha se procedurat janë të errëta dhe shumë të mbyllura, teksa shtoi se “kjo paqartësi i bën dëm publikut në përgjithësi, por më konkretisht popullatës së Kosovës, pasi që i pengon ata të shohin me të vërtetë drejtësinë duke u bërë në sallën e gjyqit dhe përmes parashtresave me shkrim – deri në masën që zbatohet drejtësia”.

Karnavas ka deklaruar se procesi gjyqësor i Gjykatës Speciale nuk do të përfundojë së shpejti, duke theksuar se shqyrtimi do të vazhdojë për vite të tjera.

Karnavas theksoi gjithashtu mundësinë e arrestimeve dhe akuzave të reja, duke parashikuar se Gjykata Speciale mund të vazhdojë të funksionojë për 5-10 vjet të tjera.

“Përsa i përket mbylljes së tij së shpejti, përgjigja e shkurtër është jo. Shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë. Pasi të merret një vendim, do të ketë një ankesë. Kjo do të marrë vite. Ndërkohë, më shumë të dyshuar mund të arrestohen dhe akuzohen dhe gjykohen. Sipas ritmit të gjërave, do të thosha se Specilalja do të jetë rreth 5-10 vite të tjera”, tha ai.

Ai shprehu besimin se proceset po zhvillohen me efikasitet, ndërkohë që gjyqtarët po përpiqen të balancojnë shpejtësinë me të drejtat e garantuara për të akuzuarit.

“Shqyrtimi gjyqësor mund të përfundojë pas një viti apo më shumë. Vështirë të thuhet pasi ka shumë të akuzuar dhe secili mund të dëshirojë të mbrojë me dëshmitarë. Dhe për të qenë të qartë, ndërsa mega rastet shkojnë përpara gjykatave penale ndërkombëtare, kjo çështje po gjykohet me efikasitet. Rastet e kësaj natyre dhe para gjykatave të tilla kërkojnë shumë kohë për t’u përfunduar”, tha ai.

“Unë kam besim, duke njohur anëtarët e trupit gjykues, se gjyqtarët po përpiqen të gjejnë një ekuilibër midis shpejtësisë dhe ofrimit të të akuzuarve të të gjitha të drejtave të tyre të garantuara për një gjykim të drejtë”, tha Karnavas për GazetaBlic.

Linku i shkrimit: https://gazetablic.com/michael-karnavas-gjykata-speciale-do-te-zgjase-edhe-5-apo-10-vite-mund-te-kete-arrestime-te-tjera/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje sot ka ripublikuar një hartë që…