Michel Barnier emërohet kryeministër i ri i Francës
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka emëruar Michel Barnierin kryeministër të ri të vendit të enjten, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik pas zgjedhjeve të parakohshme që nuk prodhuan fitues bindës.
Barnier, 73 vjeç, është ish-kryenegociator i BE-së për Brexit-in, i cili i udhëhoqi bisedimet me qeverinë britanike mes viteve 2016-2019 për largimin e Britanisë së Madhe nga blloku.
Si një veteran i Partisë majtiste Republikane (LR), ai ka një karrierë të gjatë në politikë, të mbushur me pozita të ndryshme të larta në Francë dhe brenda BE-së.
Barnier tani duhet ta formojë një qeveri të re, e cila duhet ta fitojë mbështetjen e Asamblesë Kombëtare të ndarë në tri blloqe të mëdha politike, të cilat nuk kanë qenë në gjendje ta formojnë një shumicë të qartë.
Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë, partia më e madhe në Parlament, ka lënë të kuptohet se nuk do ta bllokojë Barnierin tani për tani, por mund ta bëjë një gjë të tillë më vonë, nëse një sërë kërkesash të saj nuk pranohen.
Barnier u bë kryeministri më i vjetër në moshë në historinë e politikës moderne të Francës, dhe do ta zëvendësojë Gabriel Attalin, i cili ishte më i riu në këtë post.
Macroni nuk kishte pranuar t’i kërkojë partive majtiste formimin e qeverisë së re, pasi partitë e tjera thanë se do të votonin menjëherë kundër saj.
Jordan Bardella, udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar, tha e pranon zgjedhjen e Macronit dhe se do t’i gjykojë “fjalimin e përgjithshëm politik” të Barnierit si dhe “vendimet e tij për buxhetin dhe veprimet e tij bazuar në meritë”.
Macronit iu kthye bumerang vendimi për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme në qershor, sepse koalicioni i tij i qendrës humbi dhjetëra ulëse dhe asnjë parti nuk e fitoi shumicën dërrmuese. Megjithatë, votuesit ia mohuan fitores Tubimit Kombëtar.
Fronti i Ri Kombëtar – një koalicion i të gjelbërve, socialdemokratëve, komunistëve dhe partisë majtiste të Jean-Luc Melenchonit, Franca e Panënshtruar – fito befas më së shumti ulëse në zgjedhjet e qershorit, por jo shumicën e nevojshme.
Koalicioni i qendrës i Macronit, “Bashkë”, doli i dyti, ndërsa Tubimi Kombëtar i treti, pavarësisht se shpresonte se do ta fitonte shumicën pas një rritje të madhe që shënoi në rundin e parë të zgjedhjeve.