Mick Schumacher: Dua të mësoj sa më shumë, pastaj të tregoj se mund të bëhem më i miri, si babai im
Debutimi i Mick Schumacherit në Formula 1 do të jetë një nga arsyet kryesore të shtimit të interesit për këtë sport këtë sezon.
21-vjeçari gjerman, djali i legjendës Michael Schumacher, do të garojë me makinën amerikane Haas. Në një intervistë nga Bahrein, ku kanë nisur testet dimërore, ai nuk fsheh ambiciet e tij.
“Natyrisht se historia më interesante e këtij viti në Formula 1 do të jem unë. Gjithsesi, unë e di se çfarë do të thotë të jesh pjesë e Formulës 1. Jam i lumtur dhe njëkohësisht krenar, për veten dhe për skuadrën time, për atë që kemi bërë. Jam këtu për të treguar se sa vlej”, ka thënë Mick Schumacher.
“Shpresoj që në këtë sport të qëndroj sa më gjatë dhe për t’ia dalë mbanë. Do të punoj në maksimumin tim për t’u bërë më i miri. Ky vit do të jetë i rëndësishëm për mua, për të mësuar sa më shumë dhe më pas do të kem mundësinë të tregoj se mund të bëhem më i miri, si babai im”, ka deklaruar Mick Schumacher.