Mick Schumacher edhe një vit në Formula 2
Piloti 20-vjeçar gjerman Mick Schumacher, djali i 7 herë kampionit të botës Michael Schumacher, do të vazhdojë të garojë në Botërorin e Formula 2 edhe sezonin e ardhshëm sportiv.
Vitin 2020, Mick do të garojë sërish me makinën italiane Prema, me të cilën piloton prej disa sezonesh. Për Schumacher viti 2020 do të jetë sezoni i dytë radhazi në botërorin e Formula 2, ku ai synon të akumulojë sa më shumë përvojë para se të katapultohet në Formula 1.
Mick Schumacher do të pilotojë makinën Prema bashkë me pilotin Robert Shwartzman. “Ky do të jetë sezoni im i dytë në Formula 2, ku këtë vit kam mësuar shumë. Kjo përvojë e fituar këtë vit do të më shërbejë edhe vitin 2020, për të hedhur të tjera themele të sigurta për të ardhmen. Falënderoj makinën Prema për besimin dhe do të tregoj se patën të drejtë që më besuan mua”, ka thënë Mick Schumacher, që njëkohësisht është edhe pilot i Akademisë Ferrari