Mick Schumacher: Fitorja do të vijë, por duhet durim
Piloti 21-vjeçar Mick Schumacher, djali i legjendës Michael Schumacher, ishte protagonist i një aksidenti në pistën e Imola, për fat pa pasoja për të dhe për makinën.
Edhe pse ai dëmtoi pjesën e përparme të makinës, ajo u sistemua dhe u rikthye në pistë. Mick Schumacher ka zhvilluar vetëm dy gara në Formula 1 me makinën amerikane “Haas” dhe të dyja ka arritur t’i mbyllë, por pa mundur të fitojë ndonjë pikë.
“Mendoj se po bëj një punë të mirë, por e di se duhet shumë durim për të qenë protagonist në një garë. Këtë gjë ma thotë edhe skuadra, që duhet të jem i durueshëm. E rëndësishme është që psikologjikisht të mos dorëzohesh dhe të luftosh, duke njohur limitet e tua dhe të makinës, pa humbur dëshirën për të garuar. Do të vijë një moment që më duhet të kërkoj një shpërblim për këto që po bëj. Këshilla që më ka dhënë skuadra është të mos pilotoj përtej limiteve të makinës, pasi kjo do të ishte një problem për të gjithë. Mundohem të respektoj këto këshilla edhe pse të gjithë ne jemi të paduruar për të shkuar te fitorja”, ka thënë Schumacheri.