Mickoski: Nëse Zaevi deri ora 14:00 nuk dorëzon dorëheqjen, do të fillojmë procedurat për votëbesimin

07 nëntor 2021 | 14:00

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka realizuar të dielën një takim me kryetarët e sapozgjedhur të komunave që vijnë nga partia e tij. Me këtë rast, ai është shprehur se do të kërkojë që të realizohen të gjitha premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore.

Mickoski, para medieve ka folur edhe për rrëzimin e Qeverisë së Zaevit, ku ka thënë se ata do të presin deri nesër (e hënë) në orën 14:30 që Zaevi ta dorëzojë dorëheqjen në Kuvend, ndërsa ka shtuar se në të kundërtën, ata në orën 14:30 do të dorëzojnë nënshkrimet për votim të mosbesimit të Qeverisë LSDM-BDI.

“Do të jem si zakonisht, preciz. Deri në orën 14:30 presim dhe më pas do ta nisim procedurën për votimin e besimit të qeverisë, nëse më parë nuk e mban premtimin Zoran Zaev”, ka thënë Mickoski.

Ai ka thënë se fillimisht duhet të rrëzohet kjo qeveri dhe më pas, do të vijnë procedurat tjera.

Mickoski ka mohuar raportimet se deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi është ankuar për keqpërdorim të nënshkrimit të tij dhe se do ta tërheqë atë.

“Nënshkrimi i Skender Rexhepit qëndron në iniciativën për ndryshimin e kësaj qeverie dhe besoj në ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar”, ka thënë Mickoski.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Deçanit ka ndarë 77 makina mjelëse për fermerët…