Mickoski: S’ka nevojë për zgjedhje të parakohshme
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka vazhduar të refuzojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale në tetor të vitit të ardhshëm.
Si test për qeverinë dhe opozitën, ai ka thënë se janë zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm dhe nëse fitojnë kandidatët e BDI-së apo LSDM-së, atëherë mund të organizohen zgjedhje menjëherë pas atyre lokale. Nëse opozita humbet, atëherë ai u ka bërë thirrje që të reformohen me kuadro dhe programe të reja.
“Kemi zgjedhje lokale vitin e ardhshëm. Në ato zgjedhje qytetarët do të tregojnë nëse nevojiten edhe zgjedhje parlamentare apo jo. Nëse ka nevojë për parlamentare, mundemi menjëherë më pas të organizojmë edhe zgjedhje parlamentare. Nëse ata japin karton të kuq për qeverinë e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, nëse i votojnë kryetarët e komunave të LSDM-së dhe BDI-së atëherë mesazhi është i qartë, ne nuk do ta injorojmë atë mesazh”, ka thënë Mickoski. /Alsat.mk