Midis predhash kërceja vallen e vdekjes, e një zë më pëshpëriste “do të jetosh”

23 maj 2024 | 17:48

Rrëfyer nga Jeton Zejna, shkruar nga Teuta Haxhimusa-Çerkini dhe redaktuar nga Sulejman Dërmaku.

Në vitet ’90 të shekullit XX, mbaj mend se oborri ynë i madh dhe shtëpia jonë njëkatëshe, në Ferizaj, mbushej plot me njerëz të farefisit nga fshatrat Greme e Firajë, të cilët vinin të merrnin pjesë në protesta, që atëbotë organizoheshin kundër regjimit serb. Ndonëse isha adoleshent, e kujtoj se gjithmonë isha ndër më të zëshmit mes shokësh, kur tuboheshim për këto organizime, pavarësisht nga këshillat e babait që të kisha kujdes me temperamentin dhe zjarrin tim shpërthyes, ngase do të mund ta pësonte e gjithë familja.

Në ato vite shumë të rinj migronin në Gjermani për të punuar. Babai më këshillonte të shkoja edhe unë. Disa herë eblija biletën, por nuk nisesha dot. Isha 16 vjeç, kur, më në fund,u nisa dhe migrova në Gjermani. M’u bë se babai disi u lehtësua që shkova. Mendonte se atje do të isha më i sigurt, do ta fusja kokën në punë. Dhe ashtu ndodhi. U sistemova shumë mirë, me të gjitha dokumentet e nevojshme. Pas një kohe fillova të punojanë fabrikën e automobilave BMW dhe gjithçka vajti mirë deri më 1998, kur gjendja në Kosovë u përkeqësua, ndodhën masakra, u flijua familja Jashari, e lufta u zgjerua. Mua vendi vend s’më zihej në Gjermani. Në 1998 u ktheva në Kosovë për një vizitë të shkurtër, por mbeta diku rreth katër muaj. Tuboheshim me shokë te dyqani i Abaz Kashtanjevës, flisnim për UÇK-në. Një zjarr i brendshëm sa vinte dhe e pushtonte gjithë qenien time. Me insistimin e  madh të babait, përsëri u ktheva në Gjermani. Nuk më bënte zemra të nisesha e ta lija familjen dhe gjithë vendlindjen time në atë pasiguri të plotë. Ishte një forcë, si magnet, që më tërhiqte të kthehesha në Kosovë. Mbase kështu lindin disa shpirtra, mund t’i largosh kudo, por ata prapë e  bëjnë atë që u thotë zemra. E magneti i zemrës sime ishte UÇK-ja. Flija dhe zgjohesha me mendimet se si t’u bashkohesha atyre radhëve. Në punë shkoja, por punoja disi mekanikisht, sepse mendjen e kisha gjetkë, në Kosovë.

Ishte diku fillimi i 1999-tës, kur, së bashku me Avni Hoxhën, nga Munihu, përmes Italisë, u nisëm drejt Shqipërisë. Avniu i ishte bashkuar UÇK-së më herët, por, pas Betejës së Jezercit, kur ushtarët ishin shpërndarë përkohësisht, ai kishte ardhur në Gjermani. Mirëpo, nuk mund të rrinte më gjatë, mendja e tij ishte e prerë që të kthehej në luftë. Që të dy vajtëm në Durrës dhe u paraqitëm te një objekt me dyer të gjelbra, rreth plazhit, i cili quhej restorant “Drenica”. Nga aty, me furgon na transportuan për në Kukës, ku na i dhanë uniformat, e më pas na nisën për në fshatin Elshan, ku dhamë betimin dhe filluam stërvitjet. Më pastaj, vajtëm në Babinë dhe në Papaj, ku u armatosëm. Ndieja ngazëllim të papërjetuar me parë, më në fund isha aty ku kisha dashur, ajo uniformë, ato tri shkronja – i binin tamam shpirtit tim luftarak. Ndihesha i fuqishëm dhe i gatshëm të nisesha në front, në mesin e 40 shokëve të togës. Më sugjeruan të bëhesha gjuajtës topi, por unë i kundërshtova, doja të mbetesha në këmbësori, me armikun të ndeshesha drejtpërdrejt.

U nisëm drejt thellësisë së maleve me dy pizgauerë, por,meqë zona ishte e minuar, rrugën tjetër na u desh ta bënim më këmbë, nën urdhrat e Afrim Krasniqit, zëvendëskomandant. Tek bisedonim krah për krah, e kuptova se Afrimi ishte nga Prishtina, por para shumë vjetësh kishte migruar në Suedi, ndërsa dikur kishte luftuar edhe në Kroaci. Më bëri shumë përshtypje ai djalë i urtë, fjalëpakë, djalë flori, që i kishte lënë dy vajzat dhe gruan në Suedi, kishte mbyllur restorantin dhe ishte nisur për ta mbrojtur atdheun. Gjithnjë dinte të qetësonte situatën, edhe kur ndonjëherë kishte diskutime të nxehta midis nesh. Arritëm në fshatin Padesh, ku u ndalëm, u ushqyem dhe e kaluam natën. Në Padesh takuam edhe shumë ushtarë ndërkombëtarë, të cilët kishin ardhur vullnetarisht që t’i bashkoheshin luftës sonë për çlirim. Në mesin e ndërkombëtarëve kishte anglezë, italianë, marokenë, si dhe nga vende të tjera, që radhëve të UÇK-së u ishin bashkuar më herët vullnetarisht.

Mëngjesin e 6 majit u bëmë gati dhe marshuam për te Rrasa e Zogut në Koshare. Ishte koha kur ishte thyer kufiri, ishte vrarë Agim Ramadani dhe ne duhej të shkonim si përforcim. Toga jonë marshonte pas skuadrës së vullnetarëve të huaj. Sa mëthellë që futeshim drejt Rrasës së Zogut, ishte sikur të futeshe në një vorbull të errët oqeani, ai entuziazmi i fillimit përzihej me erën e frikës, të ankthit e të vdekjes, që ndihej në ajër. Nuk bëmë shumë rrugë drejt pikës ku ishim nisur, kur ushtria serbe filluan të na gjuanin rrëmbyeshëm me granata. E kishin kuptuar ardhjen tonë, andaj na sulmuan që të na pengonin të avanconim tutje. Shpejt zumë pozicionet dhe mbetëm aty për më shumë se katër orë, duke u mbrojtur. Aq intensiv ishte sulmi me granata, saqë diku dy orë rresht nuk arrita as ta ngrija kokën për t’u orientuar, apo për t’i parë shokët se ku ishin. Për mua dhe shumicën nga toga, ishte hera e parë që po përballeshim me një sulm dhe ai erdhi aq papritur, sa nuk na la as frymë të merrnim. Isha itmerruar. Duhej të kishin kaluar rreth dy orë sulm, kur dikur fillova ta mësoja ritmin 24-sekondësh të shpërthimit të granatës, instinkti i mbijetesës më mësoi si të mbrohesha më mirë. Mëmirë të më qëllojë granata në shpinë sesa përpara në gjoks, e mendova në ato momente dhe ktheva shpinën që t’i shihja shokët se ku ishin. Nga largësia, e pashë Blerimin, që një copë granate ia kishte gërvishtur pak fytyrën. Dritoni po e prekte shpinën dhe po ma tregonte dorën e përgjakur e po më pyeste, “a jam plagosur në shpinë?” Unë i bërtisja nga larg – “jo, nuk je plagosur, veç ty po të duket”, sikur doja ta qetësoja edhe atë nga largësia, porse edhe sikur doja të besoja vetë se ai nuk ishte plagosur. Nuk kishte asnjë mundësi të lëvizjes për t’i ndihmuar askujt, se granatat binin breshëri. Nuk më dukej e vërtetë ajo që po ndodhte para nesh. Më dukej si një film. Vendi ku ndodheshim në ato momente, ishte shumë afër Rrasës së Zogut, nga vija e frontit na ndante vetëm ajo kodrina prej ku po na sulmonin. Ushtria serbe vazhdonte të granatonte, kur nga largësia pashë një ushtar të UÇK-së, i cili i mbante disa shishe ujë në dorë dhe po ecte lirshëm më këmbë. Desh e shtora zërin duke i thirrur që të ulej. Dikur më pa dhe më bërtiti, “Çka ke,bre?”

– O ulu, ulu, o shoq, se granatat,  – i thërrisja unë.

“A s’po i dëgjoj unë a, ec more,” – e lëvizi dorën si me zemërim drejt meje, pse po e pengoja.

Medet, qenka çmendur ky tipi, thashë vetë me vete. Mirëpo, më vonë, gjatë luftimeve e betejave, kur u mësova me luftën, e kujtoja atë skenë të parë dhe qeshja me veten. Ecja e rrija lirshëm edhe unë midis granatash, sikurse ushtari që në fillim unë e mendova si të çmendur. Emocionet e mia dhe tësecilit ushtar gradualisht u përshtateshin rrasave, shkëmbinjve, merrnin tiparet e mjedisit ku luftonim.

E kaluam këtë sulm të parë, i cili zgjati katër orë. Arritëm në pikë, u stabilizuam, e morëm veten. Më pastaj, vazhduam përpara tutje, në sulm. Dy skuadrat e para u futën duke sulmuar teposhtë, përtej Rekës së Keqe, e dy skuadrat e tjera mbetën më prapa, si përforcim. Unë isha në njërën nga këto skuadrat efundit. Luftimet ishin të ashpra gjatë gjithë ditës, vetëm terriogurzi solli qetësinë. Gjatë luftimeve të dy skuadrave të para, u vranë 9 ushtarë, në mesin e tyre mbaj mend se ishin: Afrim Krasniqi, Florin Maliqi, Ramush Shatrolli, Liman Reka, Njazi Rexhepi (nga Vitia). Më kujtohet se aty, nga një plumb dum-dum, u plagos në fytyrë Sami Kurtaliqi, Safeti (nga Varoshi) u plagos në dy duart, Kujtimi (nga Varoshi), Avni Kamberi (nga Neredimja). E pashë Qamil Shatrollin, që po e bartte në shpinë Avni Kamberin e plagosur, të cilit këmba po i shkonte zvarrë.Skuadra jonë mori urdhër që sa më shpejt të ndihmonim në tërheqjen e të plagosurve dhe të të vrarëve.

Ishte terr i madh, nuk shihnim asgjë, ecnim duke e prekurnjëri-tjetrin si orientim dhe lëshoheshim tatëpjetës, në kërkim të të plagosurve, por e kishim shumë të vështirë t’i gjenim, kishte rënë një mjegull e madhe, binte shi, vetëtinte dhe murmuronte aq shumë sa të rrëqethej trupi. Ushtria serbe filluan të granatonin edhe natën. Zakonisht natën, pas orës 6, ata nuk granatonin, por duke i dëgjuar zërat tanë, ata menduan se ne po i sulmonimpërsëri. Nga granatimet, atë natë nuk arritëm t’i tërhiqnim kufomat e shokëve të rënë. Ia dolëm t’i tërhiqnim vetëm të gjithë të plagosurit. Te Reka e Keqe e pamë kufomën e Afrim Krasniqit, zëvendëskomandatit të Skuadrës. Isha shndërruar nënjë gur të bjeshkës, që rrokullisesha sa andej sa këndej, që t’i gjeja shokët e plagosur. Emocionalisht isha ngrirë, si një shkëmb që e lagte shiu, e ndriçonte vetëtima një çast, pastaj e shkundte murmurima e fuqishme. Zëri i qyqes vonë, si përmbyllje e gjithë asaj tragjedie, m’u duk se po i vajtonte trishtueshëm shokët e rënë. Shiu binte pa u ndalur, ndërsa vetëtima dhe bubullimat zërin vajtues të qyqes e përcillnin si një orkestër morti. Nuk e dija a ishin lotët e mi, apo ishte shiu që lagte fytyrën time, nuk e mbaj mend a flija a rrija zgjuar, apo isha në kllapi gjatë gjithë atyre ditëve të tmerrit, që pasuan njëlloj njëra pas tjetrës.

Të nesërmen, por edhe shumë ditëve në vijim, u përpoqëmt’i merrnin kufomat e shokëve të vrarë, por qe shumë e vështirë, sepse ushtria serbe kishin vënë mina gjithandej, edhe në kufoma. Duke u përpjekur ta tërhiqte një kufomë, humbi jetën shoku ynë,një vullnetar italian, që e thërrisnim Italian. E mbaj mend se në atë katrahurë, duke kërkuar të vrarët, në një grumbull drurësh ishte strehuar një vullnetar i huaj. Ishte tejet i tronditur dhe i përhumbur, saqë ma drejtoi pushkën, duke menduar se isha ushtar serb. “No bam bam” – u mundova ta ndalja, duke ia treguar emblemën e UÇK-së. Atëherë u qetësua. Ishin situata dramatike, që unë më parë i kisha parë vetëm në filma, ndërsa aty po i jetoja për së vërteti.

Ditë të tëra përreth nesh vinte erë baruti, pluhuri, shkrumbi,erë kufomash, erë plagësh. Në prapavijë, kur pushonin luftimetnë mbrëmje, dëgjohej zëri i zogjve, lëvizja e gjallesave të tjera të malit. Kur ruanim natën nëpër pika, kjo lëvizje e gjallesave të malit ndonjëherë ta fuste tmerrin, duke e imagjinuar se mund të ishte lëvizja e armikut. Njëherë, kur po bënim rojë, njëri nga shokët gjuajti në drejtimin prej nga po dëgjohej një lëvizje në errësirë të plotë, ku as cigaren nuk guxoje ta ndizje. Lëvizja pushoi, por të nesërmen në mëngjes e pamë se e kishte qëlluar një breshkë.

Ushtria serbe gjuanin pandërprerë. Rrasa e Zogut ishte bërë makthi i tyre më i madh. Kjo pikë ua kallte datën, prandaj aty kishin sjellë gjithë arsenalin ushtarak, kishin sjellë edhe rusë e bullgarë, si përforcime. Ishte luftë e ashpër frontale, nga 4 e mëngjesit deri në 6 të mbrëmjes, çdo ditë. Pas disa ditësh,ushtria serbe na u sul me 5 tanke, që t’i rrëzonin pikat tona, ndërsa dy aeroplanë ishin mbi ne. Njëri tank, që kishte 8 ushtarë në një anë, 8 në anën tjetër, na erdhi mu afër istikameve. “Ruajuni, shokë, se ia nisi dasma” – na tha Avni Hoxha. Unë me Bajram Ademin ishim vendosur në një istikam, ndërsa Avniu me Dritonin në një istikam tjetër. Më tutje ishte një ushtar me emrinBlerim, e më pas edhe një tjetër ushtar, që ishte ulur në istikam dhe luante lojën Intendo. Të gjithë po i thoshim ta linte lojën, se erdhën tanket, po ai nuk na dëgjonte. Asnjëherë nuk kishte fituar pikë më shumë se atë ditë. Shkrepi gjylja e tankut, e goditi istikamin e ushtarit që po luante dhe e bëri copa. Tanku po avanconte drejt nesh. Njëri nga tankistët po tentonte të dilte në gulinov, por gjuajtjet e ushtarëve tanë nuk e linin. Pas një kohe,njëri nga ushtarët serbë u rrëzua. Abaz Thaçi e qëllonte me mortajë tankun, por, fatkeqësisht, nuk shkrepte mortaja. Tanku erdhi e hipi mbi istikam ku ndodheshin Avniu e Dritoni, ua qiti një dru përmbi, shpejt bëri një kthesë dhe u tërhoq, se filloi t’i dilte tym i zi, si duket ushtarët tanë ia kishin goditur njërin nga rezervuarët. Sapo tanku u tërhoq, vrapova si i çmendur duke qarë drejt istikamit të shokut tim, Avniut, mendova se kishin vdekur të dy, por, për fat, ata të dy ishin gjallë. Fytyra e Avniutishte e nxirë, njërën kërdhokull e kishte të luajtur nga vendi, shante e bërtiste, ku është ndihma, ku janë Fadil Hadërgjonaj, Hysen Berisha, ishte i tronditur. Në ato çaste tanku sulmues, që ishte tërhequr, shpërtheu në flakë, ose nga gjuajtjet e vazhdueshme të ushtarëve tanë aty në istikame, ose nga goditjet anësore, që kishin mundur t’i bënin grupet e tjera nga largësia. E kapa Avniun dhe e ndihmova që të zbrisnim teposhtë. Rrugës takuam BVD-në (Bandën Vëzhguese Diversante) të Anton Çunit, që na kishin ardhur në ndihmë. Fadil Hadërgjonaj na takoi rrugës, ia shpjeguam situatën, Avniu vazhdoi teposhtë, e mua më tha të kthehesha me BDV-në që të vazhdoja luftimet. Luftimet ishin të ashpra, ushtarët serbë, që kishin mbetur pa tank, ishin të tmerruar.

Granatat vazhdonin të binin pa pushim. U mbështeta pas një lisi, i cili m’u duk lis i thatë, ndaj shumë lehtë mund t’i depërtonin plumbat dum-dum, kështu që desha të gjeja një lis më të fortë për t’u mbrojtur. Papritmas, një granatë shpërtheu afër meje e më përplasi përdhe. Çuditërisht, nuk më kishte lënduar askund, por ma kishte plogështuar trupin, s’mund të ngrihesha, edhe veshët m’i kishte mbyllur, nuk po dëgjoja asgjë. Vinin shokët mbi kokë, i shihja buzët e tyre tek lëviznin, po nuk i dëgjoja gjë, për një çast mendova mos kisha vdekur, mos ishanë një botë tjetër. Mirëpo, gradualisht nisa të vija në vete. Epreka veten dhe u sigurova se nuk isha plagosur. U ngrita, mora kallashin, e hodha mbi qafë, po mezi e mbaja derisa ecja drejt istikamit. Sapo arrita në istikam, u lëshova si një thes, isha i kapitur. Edhe sikur të vinin ushtarët serbë aty, të më kapnin të gjallë, nuk kisha forcë të ngrihesha, në ato momente kisha shumë nevojë të pushoja.

Me këtë ritëm kishin kaluar diku dhjetë ditë të njëjtaluftimesh te Rrasa e Zogut.

Ishte 14 maj. Pasi e kisha mbaruar ndërresën e rojës, diku rreth orës 10 të natës, isha kthyer në pikë. Po e dëgjoja bisedën midis shokëve. Ishte radha e Qamil Kurtaliqit të bënte rojë, por atë natë ai nuk mund të shkonte, për shkak të dhimbjes sëveshkave. Ishte i moshuar, pothuajse sa babai im, ndjeva keqardhje. Po i dëgjoja disa nga shokët e tjerë të thoshin, “nëse ky nuk shkon, as unë nuk shkoj.” U ngrita në këmbë, ndonëse sapo isha ulur, dhe u thashë, “unë shkoj në vend të bacësQamil”. Shkova të ruaja në pikën e parë, bashkë me Bajramin.Vetëm 300 metra larg nesh ishin pozicionet e ushtrisë serbe. Ne që ishim ushtarë të vjetër, dilnim në pikat më afër ushtrisë serbe, ndërsa ushtarët më të rinj i linin në pika më mbrapa nesh. Duke biseduar me Bajramin, një plumb më fishkëlleu afër, për pak s’më qëlloi. Vinte nga pika më sipër nesh. Pasi shfryva duke sharë, i thashë Bajramit:

Kuku, ky deri në mëngjes do të na vrasë, qenka i ri, nuk e ka idenë se nga po gjuan, po ngjitem tek ai, – i thashë Bajramit

“Jo, jo, ku po do të shkosh, mund të të rrokë plumbi rrugës duke u ngjitur” – më tha Bajrami

Nuk e dëgjova Bajramin, u ngjita anash kodrinës, që të mos më godiste dhe i dola nga prapa, te pika e tij. Nuk lashë gjë pa i thënë djaloshit nga Mitrovica, i cili nuk e kishte ditur se ajo pikë ishte jona, e kishte pandehur për pikë të ushtrisë serbe. E qetësova duke i thënë se ai nuk kishte nevojë të gjuante, ngaqëishte i fundit në radhë. Kur ne po flisnin, dëgjova një uturimë të largët aeroplanësh, e cila herë bëhej më e madhe, e herë më e dobët. Afër istikamit, ishte një gardh, dola prapa tij të urinoja. Një zë më pëshpëriti te veshi: “Do t’ju sulmojë, përgatitu”. Ishte punë sekondash, sakaq, mendja më vajti te një kufomë që e kishim gjetur, të zhveshur, përmbys, kur e kishte goditur snajperi. Po të më rroknin edhe mua ashtu, mendova, shpejtngrita pantallonat dhe u vesha. Dola matanë gardhit, i thashë ushtarit nga Mitrovica, ruaju se ky aeroplan hajdut do të na sulmojë. U nisa rrugës, e mora drejtimin që të kthehesha tekistikami im, por nuk kalova pak hapa, kur gjithçka mbi dhe përreth nesh u ndriçua aq fuqishëm, sa edhe milingonat mund t’i shihje në tokë. Toka dridhej dhe zhurmonte gjithçka rreth nesh.Kur ra predha e parë dhe e çau tokën, bëri një gropë të madhe me thellësi dy metra, mua më përplasi përdhe, ma çau helmetën, e cila u fërfëllua nga koka, ndërsa ushtarin nga Mitrovica e goditi dhe e la përmbys mbi istikam. Një zë, po ai zë që më kishte folur më parë më urdhëronte, “çohu, hyn nën aeroplan, rri aty, vazhdo djathtas, tash majtas.” Mbaj mend se dy duart i kisha vënë në kokë dhe i bindesha atij zëri. Në fakt, më dukej se ishte zëri i një piloti, që i dirigjonte lëvizjet e mia dhe unë nuk isha vetë, sikur ecja vetë i dytë, u bindesha me përpikëri udhëzimeve të tij, teksa binin predhat fuqishëm dhe shponin rreth dy metra thellësi tokën, e unë sikur vallëzoja midis tyre vallen e vdekjes.Kur ra predha e tretë, duart i kisha mbi kokë, mbaj mend se u përplasa dhe ndjeva një fllad në dorën e majtë, të cilën e kishteshpuar, njërin gisht ma kishte prerë krejtësisht, ndërsa gishtin e madh e kishte çarë si flegër. Ai zëri më tha sërish – “Çohu, shpëtove, ik, mos u ndal.” E kapa disi dorën e majtë, dukej sikur ta kishin shqyer qentë, copa-copa, dhe nuk e di ku e gjeta forcën të ikja.

Eca nja 200 metra dhe u plandosa mbi disa gurë, shumë afër bunkerëve ku flinim. Duket më kishte rënë të fikët. Ishte duke gdhirë, kur i dëgjova dy ushtarë mbi kokë që po pëshpëritnin, mes vete, “paska vdekur.” Lëviza që ta kuptonin se isha gjallë, mblodha forcat dhe u thashë të më largonin nga aty. Ata më kapën për jake dhe më tërhoqën nga gurët, se nuk mund të merrja frymë, tre karikatorët që më shtrëngonin fort për barku e për gjoksi m’i liruan. Bekim Avdiu (Beka) nga Firaja kaloi andej dhe po pyeste – “a ka të plagosur ndonjë, a?” “O Bekë, jam unë, Jetoni” – mblodha forcat dhe pëshpërita, sapo njoha zërin e tij. U tmerrua Beka, kur më pa. Shpejt më mori me shokët dhe më vendosi në barelë që të më nisnin për Bajram Curr. Rrugës, herë vija në vete, e herë alivanosesha, kështu disa herë. Më godisnin shuplaka fytyrës, zgjohesha, pas një kohe prapë e humbisja vetëdijen, kisha humbur shumë gjak. Beka,duke parë gjendjen time, u frikësua shumë. Mbaj mend që në një moment iu hakërrua shokëve që po më bartnin, “do t’ju mbys,po e latë të vdesë”, frikësohej se mos po më lëshonin. Kur më vinte vetëdija, edhe unë shaja, flisja përçart. Dikur arritëm te spitali fushor me najlon. Mjekët ishin të gjithë të zënë me të plagosur të tjerë, e Bekës nuk i pritej. E mori të ma jepte vetë injeksionin. E dëgjova kur mjeku i tha, “jepja katër gisht nën asht”. “O Bekë, hiqe një gisht, se i ke duart shumë të mëdha, po më merr në qafë” – më erdhi në ato momente ta bëja atë shaka. “O ti veç fol” – më tha dhe u qetësua pak Beka. Më pastaj me nisën prapë me barelë rrugës. U kërkova falje shokëve që më bartnin që i kisha sharë rrugës, e kisha humbur arsyen. Pizgauerët na u afruan. Më futën brenda, Beka nuk donte të më linte vetëm, aty ishte edhe një i plagosur tjetër. U thoshte të më jepnin gjak. Një mjek iu drejtua, “ku mund t’i japim gjak këtu?!” Beka nuk donte të zbriste nga pizgaueri, u grind me mjekun. Dikur i thashë, “o Bekë, zbrit, bre.” Beka, me lot në sy,më puthi në ballë dhe zbriti, nuk e dinim a do ta shihnim njëri-tjetrin më. Kisha dhimbje të madhe, kisha humbur shumë gjak, dorën ma kishte lidhur Beka, i kishte vënë një degë të shkurtër lisi, që ta mbante drejt, ashtu të shkërmoqur siç ishte. Aq shumëkisha plogështi, saqë nuk kisha forcë as të bërtisja nga dhimbjet e mëdha. Kisha etje të madhe. I plagosuri tjetër bërtiste me të madhe, ishte plagosur në bark.

Me pizgauer, arritëm në Papaj. I dëgjova ta përmendnin emrin e Avni Rexhepit. I luta disi të ma thërrisnin Avniun. Ai erdhi, m’u afrua, ma lëshoi dritën, por nuk më njohu. “Jam Jetoni, o Avni” – i thashë.  Ia nisi të qante, se nuk më njohu dhe i tha shoferit, “ky pizgauer është imi”. E mori dhe na nisi fluturimthi drejt spitalit në Bajram Curr. Qante gjithë rrugës. Më pyeti për shokët, u mërzit edhe më shumë, kur i tregova se nga 40 shokë të togës, sa ishim në fillim, gjallë kishim mbetur vetëm 9. Pas një cope rrugë, nga pizgaueri na futën në veturë të ndihmës së shpejtë dhe drejt në spital. Në oborr të spitalit, një gazetar turk po filmonte. Unë isha mbështjellë me një batanije ngjyrë gjaku. Shpejt mjekët më futën në operacion, ma amputuan dorën dhe një pjesë të krahut, që kishte mbetur varur. Me helikopter urgjent më nisën për në spital të Tiranës. Infeksioni ishte shumë i madh. I kisha në trup tetë lloje të baktereve, mishi kishte filluar të kalbej. Fati që infeksioni kishte shkuar poshtë trupit, jo nga zemra. Në spital takova shokët e skuadrës që ishin plagosur me herët, Bekim Zylfiu, komandant i skuadrës (nga Gjilani), dhe Isuf Paloja. Ata kujdeseshin shumë për mua aty. Bekimi një ditë më tha të mundohesha të ngrihesha në këmbë, se vetëm shtrirë rrija. Sapo u ngrita në këmbë, u alivanosa dhe rashë në komë tri ditë radhazi. U zgjova pas tri ditësh, shumë i lumtur, me një ndjenjë vullneti të madh, ai zëri më tha përsëri, “ti nuk do të vdesësh, Jeton”. Isha i bindur se do të jetoja. I besoja atij zëri. T gjithë kishin menduar se nuk do të zgjohesha më. Kur po më vinte vetëdija, i dëgjoja ushtarët që hynin e pyesin në dhomë, “a ka vdekur, a është ende gjallë?”

Idriz Hasani, fqinji im, gjatë kohës sa kisha qenë në koma,më kishte nxjerrë biletën që të më çonin në Munih të Gjermanisë. Edhe doktor Xhorxhi u gëzua që unë kisha pasaportën e Gjermanisë. Por, unë nuk doja të shkoja, se doktor Xhorxhi më jepte vullnet dhe më thoshte se do të shërohesha, por, duke e ditur gjendjen time të rëndë, ai insistonte që unë të transferohesha në Gjermani. Unë isha kokëfortë, kështu që thirrën përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm që të më bindnin, ngase unë isha afër vdekjes. Erdhi Azem Syla me tre të tjerë dhe biseduan me mua. I pranishëm ishte edhe doktor Xhorxhi. I tregova se kisha pasaportën time në Gjermani. Morën numrat nga unë dhe i bënë përgatitjet që të më transferonin. Por, doktor Xhorxhi tha se duhej edhe një pastrim pa anestezion (si operacion), se nuk mund të më nisnin në këtë gjendje. Dhimbja ishte e tmerrshme, bërtisja dhe shaja doktor Xhorxhin e infermieret. Më vonë, kam shkuar t’i falënderoj për gjithë kujdesin dhe t’u kërkoj ndjesë për sharjet.

Më kishin përgatitur, m’i kishin prerë flokët, më kishin pastruar. Idriz Hasani, fqinji im, erdhi me mua të më shoqëronte për Gjermani. Me karrocë më futën në aeroport më 21 maj 1999.Një polic shqiptar, kur kuptoi se isha ushtar i UÇK-së, nga respekti nuk dinte çfarë të më jepte, nxori kajsitë që kishte nëxhepat e tij dhe m’i dhuroi. Ai gjest m’i mbushi sytë me lot.

Ishte e diel. Natën e parë qëndrova te daja Feriz, në Munih, edhe pse doktor Xhorxhi më kishte thënë të shkoja drejt në spital. Nga ora 5 e mëngjesit dhimbjet ishin shumë të mëdha. Shpejt e sollën mjeken e shtëpisë. Ajo u tmerrua, “kush është ky njeri, nuk guxoj ta prek”, tha dhe shpejt e thirri ambulancën. Më dërguan në spital. Shpejt e thirrën doktor Sherin. Ndonëse ishte fundjavë, ai erdhi dhe që nga ai moment u kujdes për mua, duke luftuar çdo ditë me infeksionin tim vdekjeprurës. Askënd nuk e lejonte të ma lidhte plagën. Të gjitha i bënte vetë ai.

Operacioni i parë zgjati 5 orë. Sa isha në Tiranë, krahun e kisha të gjatë deri pak përmbi bërryl. Infeksioni im i kishte hyrë brenda në asht dhe çdo dy ditë më fusnin në operacion, duke ma prerë nga pak krahun e majtë, saqë erdhi momenti që e amputuan të tërin. Plot 6 javë qëndrova në spital të Munihut. Gradualisht fillova të shërohesha, fillova të kisha oreks për ushqim dhe të forcohesha. Doktor Sheri i sillte studentët të shihnin konkretisht shembullin se si njeriu kthehet nga vdekja në jetë. U tregonte atyre se si më kishte pagëzuar nëna, kuptimin e emrit tim, Jeton. Isha më i traumatizuar sesa e mendoja. Një ditë i isha hakërruar infermieres me emrin Suzana, meqë, pasi ma kishte lidhur plagën, kisha pasur dhimbje të tmerrshme. Kisha filluar të mendoja se ajo ishte serbe. Më kishin sjellë edhe psikologun, të cilit i kisha treguar edhe për zërin që më kishte shpëtuar. Në fillim nuk e kuptoja, si ishte e mundur që gjatë sulmit të dy duart t’i kisha mbajtur në kokë, e të më plagosej dora e majtë, ndërsa koka të më shpëtonte. Bashkë mepsikologun, e kemi rikonstruktuar ngjarjen, se, ndonëse i kampasur të dy duart lart mbi kokë, nga përplasja e fuqishme, dora e majtë ka dalë për një çast jashtë rrezes mbrojtëse, është goditur dhe është kthyer prapë në vend, mbi kokë.

Pasi u krye lufta, pas një jave, erdhën dajat, Miniri dhe Hasani, të përshëndeteshin me mua, sepse po niseshin për Kosovë. Mirëpo, nuk më bënte zemra t’i lija ata të vinin pa mua. U vesha shpejt dhe hipa në veturë të tyre, u nisëm bashkë për Kosovë. Shkuam në Shqipëri, vizituam spitalin ushtarak në Tiranë, pata dëshirë të falënderoja gjithë stafin nga zemra për kujdesin e madh. U kërkova ndjesë edhe për sharjet që u kisha shfryrë nga dhimbjet e mëdha. Befasoheshin infermieret e mjekët kur më shihnin gjallë.

Rrugës tek vinim, sapo hymë në Kosovë, zemra sikur ra në vend. Një qetim ma pushtoi shpirtin, e brenda qenies sime gurgullonte një lumë lumturie që ma zbuste shkrumbin e të gjitha dhimbjeve e vuajtjeve që i kisha përjetuar. Ishte ajri i lirisë që po ma ngrohte gjithë qenien time. E gjithë sakrifica e vuajtja më dukej se ia kishte vlejtur, për të thithur atë ajër. Lotëtmë rrodhën faqeve, kur mendja më shkoi te shokët e rënë, që nuk kishin mundësinë ta përjetonin agun e lirisë, që unë po e ndieja aq fuqishëm, përderisa vetura lëvizte fluturimthi drejt vendlindjes së lirë.

Prindërit dhe tërë familjen time të ngushtë, si refugjatë, i kishin transferuar në Portugali. Ende nuk ishin kthyer në Kosovë. Kështu që fillimisht shkuam te daja Fatmir. Aty takova dajën Afet, ishin mbledhur edhe gjithë farefisi aty. Ishin ndjenja gëzimi e pikëllimi, të përziera bashkë. Krejt fillonin të qanin,kur më përshëndesnin. Pas pak, dikush tha, po vjen gjyshja e Jetonit (nana Rukije), mbase nuk duhej të më shihte ashtu, të gjithë ishin të papërgatitur për këtë takim, nuk dinin si të vepronin.

Gjyshja ime hyri si një mbretëreshë dhe pyeti me autoritet “ku e kam Jetonin tim?” Të gjithë e hapën rrugën. E fortë, më pa drejtnë sy, nuk lëshoi asnjë pikë loti, më shtrëngoi fort në përqafim. Mbeta ca kohë i varur në përqafimin e saj. Sa shumë isha përmalluar për atë përqafim, që i vinte era bukë të fëmijërisë. Lotët shpejt më rrodhën dhe humbën në shpinën e gjyshes. Makapi dorën e djathtë, sikur kur isha fëmijë, e më tha, “çohu shkojmë te shtëpia, djali im”, dëshironte të më largonte nga aty, se gratë kishin nisur të qanin.

Në Kosovë qëndrova shkurt, sepse plaga filloi të përkeqësohej, prandaj u ktheva në Gjermani. Mirëpo, sapo bëhesha mirë, mendoja si të kthehesha në Ferizaj. Pas dy-tre muajve, prapëerdha në Kosovë. Disa pleq kosovarë në Munih më ndalën dhe më thanë, “a mund të t’i japim vitrat, 300 marka”. I pranova, i falënderova dhe bleva rroba për vete dhe për Hashimin, një iplagosur tjetër, që po shërohej në spital të Munihut. Bleva disa rroba që më shfaqnin më serioz, sepse do të takohesha me prindërit dhe nuk doja t’u lija përshtypje dobësie. Takimi me nënën dhe babanë, ishte shumë i sikletshëm për të dy palët.Nëna mezi e përballoi të më shihte me pamjen e re, u mërzitshumë edhe babai. Por, gradualisht filluan të mësoheshin të gjithë. Nuk qëndrova gjatë në Kosovë, u ktheva sërish në Gjermani.

Shtatë muajt e parë pas luftës ishin shumë të vështirë, isha disi i përhumbur. Nuk e kisha pranuar akoma portretin e vetes sime ashtu siç isha, fillova ta paragjykoja veten. Isha vetëm 23 vjeç. Çfarë do të bëja gjithë jetën time, tutje? E kisha shumë tëvështirë ta krijoja një vizion për të ardhmen. E nënçmoja veten dhe e ndieja se edhe të tjerët kështu do të vepronin. U mbylla në vete dhe kjo ngrirje mund të ketë zgjatur më shumë se 6-7 muaj.Pas një viti, fillova të punoja në Gjermani, së bashku me vëllanë, në firmën e tij të pastrimit. Gradualisht, po filloja ta pranoja jetën siç vinte. Vërtet nuk e kisha krahun e majtë, por në brendi nuk ndihesha i gjymtë, i hendikepuar, invalid. Prindërit filluan të mendonin për të ma gjetur një nuse, e propozimet ishin nga më të ndryshmet, që ata i merrnin për femra që kishin pak a shumë ndonjë invaliditet të caktuar. Kjo më dukej e çuditshme, se si më perceptonin të tjerët, kur unë në brendi nuk ndihesha ashtu siçata më kategorizonin me propozimet e tyre.

Kishin kaluar disa vjet pas lufte, e unë as që e mendoja martesën, me gjithë insistimin e prindërve. Ishte viti 2004 kur shoku im, Sami Beka, më njohu me kushërirën e tij, Samiren. Ajo ditë dhe të gjitha pas saj u mbushën plot diell për mua. Samirja ma ndryshoi jetën. Sapo më pa, ajo qeshi, e mua kjo m’u duk e çuditshme. Më vonë, kur e kam pyetur, “pse qeshe ashtu”, më  tha “ku të mos qesh, ëndërr të kam parë, me fytyrë, me pamje, me zë tek flisje, krejt si ti, kështu”. Samirja më pranoi siç isha. Një grua që të do shpirtërisht, të respekton sinqerisht, ta hijeshon jetën. Ajo ma ka zbukuruar jetën, më ka sjellë shumë lumturi. Ajo është shtylla e shtëpisë. Ajo i ka edukuar fëmijët, ajo kujdeset për shtëpinë, ajo kujdeset për kopshtin, shpezët, gjithçka. Është engjëlli im mbrojtës, është universi im, mikja ime më e mirë. Nuk e di, si duket kam bërë një kontratë me universin, çfarëdo dëshire që unë e kam, më realizohet. E ëndërroja një familje, universi, Zoti, më dhuroi një familje të mrekullueshme, dy vajza dhe një djalë, ashtu siç i kam dëshiruar. Jetuam ca kohë në Gjermani, pastaj e kisha ëndërr tëkthehesha, jo në qytet, por në fshatin e babait tim, ta ndërtoja një shtëpi, të kisha një oborr të madh me plot gjelbërim e të mbushur me të gjitha shpezët. Të gjitha këto u realizuan. Familja ime është oaza e lumturisë sime.

Një verë, Samirja dhe fëmijët më kushtëzuan, “do të shkojmë në det vetëm ne, një pushim modest, por ti duhet të na premtosh se nuk do të shoqërohesh me askënd, siç e ke zakon, por do të rrish vetëm me ne.” Pranova. Shkuam. Po e vendosja çadrën në plazh, kur një burrë erdhi shumë afër çadrës sonë dhe e vendosi çadrën e tij.

“O burrë, paske vend sa të duash, po pse kaq afër, bre?” – ia thashë si me inat, pa e shikuar.

“Paj, këtu po dua,” – ma ktheu ai.

“Ani, bre, ani, bëj çka të duash,” – ia ktheva unë i pezmatuar dhe u shtriva pa e shikuar, ia ktheva shpinën.

“Prej nga je?” – vazhdoi ai.

“Tash prej nga jam, – i Ferizajt jam, e ti prej nga je?” – ia ktheva.

“Jam i Gjilanit” – ma ktheu.

“Allahile, a mos ke qenë në maj 1999, në spital të Tiranës?” – më pyeti

“Po” – iu përgjigja me habi.

“Mos e ke emrin Jeton?” – vazhdoi.

“Po” – ia ktheva

“Pashë Zotin, çohu, o vëlla, të të përqafoj veç që qenke gjallë, se unë e kam ditur që ti ke vdekur,” – më tha.

U ngrita në këmbë instinktivisht, u përqafuam, “po ti kush je, o vëlla?” – e pyeta.

“Quhem Arben, kam qenë në spital në të njëjtën kohë me ty, jam i plagosur prapa në kokë, por ti çka ke hequr, të gjithë kemi menduar që ke vdekur”.

U përqafuam sërish me lot në sy. U desh ta thyeja premtimin që i kisha dhënë familjes, sepse biseduam gjerë e gjatë me Arbenin, nuk ndaleshim dot, ishte një lumë i turbullt përjetimesh, që dilte nga shpirti përmes fjalëve, e që më habit sa herë, si ka mundësi që këto përjetime pas kaq vitesh të kthehen kaq të gjalla e kaq të freskëta, sikurse të kishin ndodhur dje. Mbase vragat e shpirtit nuk përthahen, nuk shihen, por mbeten thellë të freskëta brenda nesh.

Sa herë vjen maji, aromat, zërat e zogjve, qyqja, më sjellin kujtimet e paharruara të Rrasës së Zogut. Mendja më fluturon teshokët e rënë, që u flijuan për lirinë tonë. Ulur në oborrin e shtëpisë, midis shpezësh e gjelbërimit, shpeshherë përhumbem në kujtimet e luftës, e sërish gjej qetimin nën diellin e lirisë.

Biografi e shkurtër:

Jeton Zejna lindi më 05.01.1976 në Ferizaj. Si 16-vjeçar, në 1993, migroi në Gjermani, ku punoi shumë vite në fabrikën e automobilave BMW në Munih. U kthye për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së diku në fillim të vitit 1999. Gjatë luftimeve në frontin e Koshares, u plagos rëndë nga predhat e aeroplanëve të ushtrisë serbe dhe mjekët në Tiranë e në Munih, për shkak gjendjes së tij të rëndë, u detyruan t’ia operonin disa herë krahun e majtë, duke ia amputuar, fillimisht deri mbi bërryl, e pastaj krejtësisht krahun. Jetoni e mban statusin e invalidit të luftës së UÇK-së. Është i martuar me Samiren dhe ka 3 fëmijë: Natyrën,Verën dhe Trimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza…