Miftaraj: KPK-ja s’ka ndërmarr asnjë hap për të filluar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit

28 maj 2024 | 12:30

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka kritikuar Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Ai ka vlerësuar se përkundër kërkesës së ndërkombëtareve, ky këshill ende nuk e ka filluar procesin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Miftaraj ka shkruar në “Facebook” se sistemi prokurorial është peng i interesave të ngushta.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës përkundër kërkesës se partnerëve ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të filluar me procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit te Shtetit. Sistemi prokurorial ende është peng interesave brenda Këshillit Prokurorial dhe disa prokurorëve për të cilët më i rëndësishëm është një sistem i dështuar se sa një sistem prokurorial i pavarur dhe që mbron Kushtetutën dhe ligjin në Kosovë”, ka shkruar Miftaraj.

Më tutje, ai ka shprehur dyshime se ky sistem mund të bëjë dallavere edhe në konkursin për rekrutimin e prokurorëve të rinj, i cili është duke u zhvilluar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin “Keqpërdorimi i…