Miftaraj mirëpret vendimin e qeverisë për tërheqje nga tiketa prej pesë eurosh
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas vendimit që ka marrë qeveria për të pezulluar vendimin për tiketën prej 5 eurove.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se qeveria sot paska reflektuar dhe kjo, sipas tij, është mirë si për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.
“Tërhiqet qeveria, pezullohet marrëveshja për tiketën 5 euroshe!. Qeveria gjatë qeverisjes mund të marrë vendime të gabuara, mund të marrë vendime korruptive, por ajo që dallon një qeveri me integritet dhe nuk e përkrah monopolin dhe aferat korruptive është nëse e njëjta qeveri reflekton. Qeveria sot paska reflektuar dhe kjo është mirë si për sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, po ashtu edhe për kthimin e besimit te publikut në shtet ligjor. Vendim për t’u përshëndetur. 10 milionë euro për pese vite, padyshim se do ishte njollë e keqe për secilën qeveri”, ka shkruar Miftaraj.