Miftaraj: Ndalja e pagave në kundërshtim me ligjin, SBAShK-u s’ka buxhet t’i paguajë grevistët
Drejtori i Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se mosekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin.
Sipas juristit Miftaraj, Ligji për Grevat duhet të interpretohet në pajtim në standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë, duke siguruar të drejtën e grevës.
Në një prononcim për “Ekonomia Online”, Miftaraj ka thënë se është arbitrare që të pezullohen pagat për grevistëve.
“Pezullimi i pagave është i kundërligjshëm, pasi Ligji për Grevat, në nenin 1, përcakton që qëllimi i këtij ligji ka për qëllim t’iu ofrojë të drejtat dhe benificionet e grevistëve, si dhe këto të drejta duhet të interpretohen në pajtim në standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë. Standardet ndërkombëtare në këtë rast janë opinionet ligjore praktikat më të mira të Organizatës Ndërkombëtare të Punës”, ka thënë Miftaraj.
Madje sipas tij, grevistët mund t’i marrin pagat nëse dorëzojnë padi në gjykatë, por shteti do të ketë trefish shpenzime për të paguar shpenzimet e avokatëve, etj.
Miftaraj ka thënë se nëse veprohet siç është duke thënë qeveria, Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) i duhet 100 vjet të marrë pagesë prej anëtarësisë për t’i paguar grevistët vetëm dy muaj.
Kjo ngase sipas tij, sindikata e ka buxhetin vjetor 700 mijë euro, kurse çdo muaj shteti jep paga deri në 35 milionë euro.
“SBAShK-u brenda vitit ka buxhet 700 mijë euro, por nëse do të bëjë grevë duhet të pres 100 vjet për t’i mbledhur 70 milionë euro prej anëtarësisë, duke mos bërë asnjë shpenzim shtesë, ngase brenda muajit vetëm në sektorin publik jepen 35 milionë euro paga, i bie që sindikata duhet të marrë anëtarësi për 100 vjet për t’i paguar grevistët që janë në grevë dy muaj”, ka thënë ai.