Miftaraj paralajmëron se Ligji i ri i Pagave mund të rrëzohet sërish nga Kushtetuesja
Para pak ditësh ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është proceduar Projektligji për Pagat dhe Projektligji për Zyrtarët Publikë.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka reaguar pas procedimit të këtyre dy projektligjeve.
Miftaraj ka thënë se në lexim të parë dhe pa bërë analiza të thella, Projektligji për Pagat nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese. “Draftligji për Pagat: Në lexim të parë dhe pa bërë analiza më të thella, me kushtin që koeficienti është 120 euro, sikurse po theksohet në publik dhe nëse draftet e ligjit dhe dokumentet përcjellëse që kanë dalë në publik janë dokumente që do të dalin në konsultim publik, draftligji aktual nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Më tutje, Miftaraj ka shtuar se me projektligjin aktual ulen ndjeshëm pagat e prokurorëve, gjykatësve, dhe kjo qasje sipas tij cenon sigurinë juridike. “Me draftligjin aktual ulen ndjeshëm pagat e prokurorëve, gjykatësve të gjykatave të rregullta dhe gjykatës kushtetuese, shërbimit diplomatik, etj. Një qasje e tillë cenon sigurinë juridike dhe financiare të secilit zyrtar publik që i zvogëlohet paga. Nëse nuk ndryshojnë koeficientet, nuk ndryshohet krejtësisht qasja në këtë hartimin e këtij ligji, i njëjti është hartuar për të mos hyrë në fuqi, ose edhe mund të fitohet besimi se drafti aktual është për të blerë kohë. IKD-ja do të marr pjesë në konsultime publike dhe do të të hartojë dhe publikojë raporte analitike për dy draftligjet, për Paga dhe Zyrtarët Publikë”, ka thënë Miftaraj.