Miftaraj pas deklaratës së Haxhiut: Për vitin 2024 armiku numër një i LV-së është Kushtetuesja
Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka theksuar se Gjykata Kushtetuese është duke i bllokuar reformat e qeverisë në drejtësi dhe në fusha të tjera.
Miftaraj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në rrugëtimin e saj e ka politikë dhe mision të identifikojë dhe të targetojë armiq.
“Për vitin 2024, për LV-ja armiku numër 1 i saj është Gjykata Kushtetuese. Target i lehtë për ta sulmuar, etiketuar dhe faturuar dështimet e keq qeverisjes së LV-së në mbi tri vjet në pushtet”.
“Reforma e dështuar në drejtësi është kontestuar edhe nga Komisioni i Venecias. Ndërhyrjet e papërshtatshme të kësaj qeverie janë konstatuar edhe nga ekspertet eminentë të Këshillit te Evropës”, ka shkruar Miftaraj në “Facebook”.
Miftaraj ka thënë se dështimet e qeverisë Kurti janë ekspozuar edhe nga ato pak organizata joqeveritare të cilat sipas tij, kanë mbetur të pakapura dhe që nuk kanë hyrë në raporte kontraktuale dhe financiare me ministra dhe eksponentë të qeverisë.
“Jokompetenca, arroganca dhe qëllimet e këqija janë sinonim i kësaj qeverie, fajin dhe dështimin e keni në mesin tuaj edhe pse po akuzoni e mallkoni të tjerët”, ka shkruar Miftaraj.
Mosjetësimi i reformës në drejtësi, Haxhiu ia lë fajin Gjykatës Kushtetuese