Miftaraj: Pezullimi i pagave për punëtorët grevistë, cenim i rëndë i të drejtave të tyre
Drejtori i Institutit Demokratik për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ndaj Ministrisë së Financave, e cila ka kërkuar listën e punëtorëve që duan të hynë në grevë për t’ia pezulluar pagat.
Miftaraj ka thënë se një vendim i tillë i qeverisë paraqet cenim të rëndë për të drejtat e punëtorëve.
“Pezullimi i pagave nga ana e shtetit ndaj punëtorëve që hyjnë në grevë të ligjshme është cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve, e paparë në një shtet demokratik, ose nga një parti politike që ka promovuar shtet social. E papranueshme. Kjo nuk kalon. Masa të menjëhershme ndaj kujtdo që ka filluar një iniciativë të tillë”, ka shkruar Miftaraj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Miftarajt:
Neni 18
Efektet e grevës së ligjshme
1. Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga kontrata e punës.
Këshillë juridike falas për qeverinë:
Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, nënkupton se pezullohen detyrimet e punëtorit për të përmbushur obligimet që dalin nga kontrata e punës.
Neni 18 pika 1 e Ligjit për Grevat, në asnjë rrethanë nuk nënkupton se pezullohen obligimet e shtetit, apo punëdhënësit në sektorin privat të pezullojë të drejtat e punëtorit në pagë dhe beneficione tjera që rrjedhin nga kontrata e punës, gjatë kohës së grevës së ligjshme.
Pezullimi i pagave nga ana e shtetit ndaj punëtorëve që hyjnë në grevë të ligjshme është cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve, e paparë në një shtet demokratik, ose nga një parti politike që ka promovuar shtet social. E papranueshme. Kjo nuk kalon. Masa të menjëhershme ndaj kujtdo që ka filluar një iniciativë të tillë.