Miftaraj: Presidenti kreu vepër penale, qeveria kaloi kompetencat e veta

25 mars 2020 | 10:43

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë vepër penale me thirrjen e tij që institucionet e sigurisë dhe qytetarët të mos respektojnë vendimin e qeverisë për kufizim të lëvizjes. Ai është shprehur se po të kishte sistem të drejtësisë të pavarur, do të duhej menjëherë të fillonte hetimi për shkeljet që ka bërë presidenti Thaçi në këtë rast. “Në këtë fazë nuk mund të themi se ka krijuar shkelje kushtetuese, por  çka  është e qartë është  fakti se presidenti ka kryer vepër penale, thirrje për rezistencë. Është një predispozitë në Kodin Penal të Kosovës e cila përcakton se çdo rast kur dikush thërret bën ftesë publike për rezistencë për moszbatimin e vendimeve të qeverisë, të autoriteteve publike, ka kryer vepër penale. Nëse do të kishim një sistem të drejtësisë së pavarur sot do të duhej të fillonte hetimi i këtij rasti për t’i hetuar shkeljet ose veprën penale që potencialisht ka mundur ta kryejë presidenti i shtetit”, ka thënë Miftaraj, i cili vendimin e qeverisë për kufizim të lëvizjes e cilëson si tejkalim të kompetencave.

Sipas tij, këtë vendim mund ta marrë vetëm Kuvendi përmes një dekreti. “Kushtetuta e parasheh qartë kur kemi të bëjmë me lëvizje. Kjo është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili, përveç dekretit dhe përmes masave proporcionale, ka të drejtë të bëjë kufizimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Republikës së Kosovës në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Vendimi do të kishte kuptim nëse do të merrej në raporte me rajonet e caktuara siç ka futur në karantinë qytete të caktuara Malisheva dhe Klina dhe të tjerat dhe në çdo moment kemi të bëjmë me kufizimin e lirisë së lëvizjes. Qeveria e Kosovës mendoj se i ka tejkaluar kompetencat  dhe autorizimet dhe ka marrë kompetenca nga sovrani, respektivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ne në asnjë rrethanë nuk e kontestojmë legjitimitetin e marrjes së një vendimi të tillë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës është legjitim dhe ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e kësaj pandemie që ka kapluar jo vetëm Kosovën. Problemi është me autoritetin që e ka marrë këtë vendim. Atë autoritet e ka Kuvendi i Kosovës e jo Qeveria e Kosovës”, ka treguar Miftaraj.

Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese sa më shpejt duhet ta trajtojë kërkesën e presidentit, për interpretim të vendimit të qeverisë për lëvizje të kufizuar. “Pa dyshim që në çdo rast kur kemi të bëjmë me pretendime, se kemi shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, në rastin konkret të lirisë së lëvizjes, Gjykata Kushtetuese do të duhej ta trajtojë me urgjencë në mënyrë që kthejë legjitimitetin, ligjshmërinë, kushtetutshmërinë e këtij vendimi. Po ashtu, kjo ka rëndësi të madhe për publikun e gjerë në mënyrë që të mos vazhdojnë luftërat politike në mes të kryeministrit dhe presidentit”, ka shtuar Miftaraj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ekspert i kujdesit intensiv, Profesor Hugh Montgomery, ka shpjeguar…