Miftaraj thotë se korrupsioni endemik në Kosovë është fakt
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka komentuar gjetjet e raporteve ndërkombëtare, të cilat evidentojnë nivelin e lartë të korrupsionit në Qeverinë Kurti.
Ai ka bërë me dije se këto raporte tregojnë se korrupsioni endemik në Kosovë është fakt.
Miftaraj ka shkruar në “Facebook” se i pakontestueshëm është edhe fakti se Qeveria Kurti është klienteliste.
“Se ka korrupsion endemik në Kosovë, është fakt. Është fakt i pakontestueshëm po ashtu se qeveria Kurti ka ndërtuar qeveri klienteliste që promovon kulturën e pandëshkueshmërisë kur klientela e tij është e përfshirë në korrupsion. Kjo tanimë është e vërtetuar nga raporte kredibile ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile ne Kosove, qe ende nuk i janë nënshtruar joshjeve me pozita dhe privilegjeve nga ana e LV-së”, ka shkruar Miftaraj.
Gjithashtu, Miftaraj ka kritikuar edhe sistemin prokurorial të Kosovës. Sipas tij, Kosova ka nevojë për një sistem prokurorial të pavarur.