Migjen Kelmendi: Kadri Veseli u gjet gjithmonë aty ku kërcitën topat
Publicisti Migjen Kelmendi, i cili iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se pyetja se “pse i është bashkuar Kadri Veselit”, është pyetje e tepërt.
Këtë bashkim Kelmendi e ka lidhur në veçanti me periudhën e luftës, kur ai në cilësinë e gazetarit e kishte njohur publikun vendor e ndërkombëtar me fillet e luftës dhe aktivitetet luftarake të formacioneve të para të UCK-së.
Kelmendi ka thënë se në kohën kur vritej milici serb dhe në Kosovë thuhej se ‘e ka vrarë Serbia, sepse nuk ka shqiptar që mund të vrasë serbë’, doli UÇK-ja e cila shembi shtetin e frikës të instaluar nga Milosheviqi dhe krijoi kontekstin e konfliktit, duke i hapur rrugë Rambujesë dhe bombardimeve të NATO-s.
“Kur kërcasin topat, gjithmonë disa ikin e disa mbesin. Kadri Veseli është njëri nga ata që kanë mbetur. Ai u gjet gjithmonë aty ku kërcitën topat, edhe në kohë lufte, edhe tani, kur kërkohen reforma, luftë kundër korrupsionit dhe një shtytje për rrumbullakësimin e shtetformimit të Kosovës”, ka thënë Kelmendi në një intervistë për “Klan Kosova”
Migjen Kelmendi ka thënë se PDK-ja po jep rezultate dhe po bën hapa konkretë në procesin e reformimit, duke reflektuar dhe pranuar gabimet e veta.
“Ne ende nuk e kemi kryer projektin shtetformues. PDK-ja sic diti t’i prijë themelimit të shtetit, ka vendosmërinë dhe largpamësinë edhe për ta përmbyllur projektin e shtetformimit. Ajo ka kapacitet dhe kredibilitet për t’i prirë këtij procesi”, ka thënë Kelmendi.