Mihajloviqi deklarohet i pafajshëm për përfshirje në rastin e vrasjes së Ivanoviqit
Millan Mihajlloviq, një ndër të akuzuarit për përfshirje në grupe të organizuara kriminale, përfshirë pengim të hetimit mbi zbardhjen e vrasjes së politikanit kontrovers serb, Oliver Ivanoviq, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën është deklaruar i pafajshëm mbi akuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në dhjetor të vitit 2023, ngriti aktakuzë kundër Mihajlloviqit për katër vepra penale, konkretisht për “pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, “kanosje” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Burim Qerkini, prokuror në rastin e Mihajlloviqit, gjatë leximit të aktakuzës tha se ai kërcënoi personin zyrtar, hetues në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe kërkoi nga dëshmitari anonim B1 në rastin e vrasjes së Ivanoviqit të mos dëshmojë.
Ivanoviqi ishte vrarë më 16 janar të vitit 2018 para ndërtesës së partisë në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe, në pjesën veriore të Kosovës.
Megjithatë, ndonëse kanë kaluar pesë vjet dhe përkundër faktit se hetimet për vrasjen e politikanit serb janë duke vazhduar në Kosovë dhe Serbi, çështja ende nuk është zbardhur nga autoritetet.