Mijëra dinarë dhe euro u sekuestruan nga Policia në veri
Policia e Kosovës ka njoftuar për kontrollin që ka kryer në filialin e bankës së ashtuquajtur “Narodna Banka” në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicë të Veriut.
Policia ka bërë të ditur se është kontrolluar një kasafortë, e cila në kohën e kryerjes së kontrollit me datë 20.05.2024 nuk ishte arritur të hapej në mungesë të personit përgjegjës i cili kishte çelësat.
“Hetuesit policor kanë arritur që me datë 29.05.2024 të identifikojnë menaxherin e pikës, e cila është kontaktuar dhe ka sjellë çelësat e kasafortës në prezencën e së cilës është hapur dhe janë sekuestruar mjetet monetare”, thuhet në komunikatën për media.
Policia ka sekuestruar 152 mijë e 290 dinarë, 4 mijë e 580 euro dhe 940 franga zvicerane
“Pas përfundimit të kontrollit menaxherja e pikës është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës në prezencën e Avokatit mbrojtës, përderisa procesi i kontrollit është zhvilluar pa asnjë incident”, thuhet në njoftim.
Policia ka shtuar se hetime të tjera profesionale lidhur me rastin janë në proces dhe të gjitha vendimet ligjore në vazhdim do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.