Mijëra kroatë protestojnë kundër traktatit që mbron gratë
Mijëra persona kanë marshuar në kryeqytetin kroat, Zagreb, në një protestë kundër një traktati evropian që ka qëllim mbrojtjen e grave, transmeton AFP.
Sipas gazetarëve në protestë kanë qenë rreth 10,000 persona, ndërsa ky marsh është mbajtur dy ditë pasi qeveria e kryeministrit, Andrej Plenkoviq ka dërguar traktatin për ratifikim në parlament.
Konventa e Këshillit të Evropës, instrumenti kryesor që parandalon dhe lufton dhunën kundër grave ka ndarë këtë shtet.
Konservatorët e vendit ballkanik, të mbështetur nga Kisha Katolike, së bashku me pjesëtarët e linjës së ashpër të partisë HDZ e kundërshtojnë ratifikimin.
Ata kanë thënë se e ashtuquajtuara Konventa e Stambollit promovon siç kanë thënë ata “ideologji gjinore”, e cila do të shkatërronte familjen tradicionale.
“Unë jam baba, nuk jam prind!” dhe “Ndalojeni dhunën kundër Kroacisë!”, është thënë në disa banerë, të cilët i kanë mbajtur protestuesit.
Protestuesit që kishin ardhur edhe nga pjesë tjera të shtetit, kanë valëvitur flamuj kroatë dhe kanë kënduar këngë patriotike.
“Ne ndihemi të kërcënuar në shtetin tonë. Konventa e Stambollit është kundër krishterimit”, u ka thënë Gordana Turiq masës në sheshin kryesor.
Në tentim për të ulur tensionet, Plenkoviq që përfaqëson të moderuarit brenda HDZ-së, ka ndryshuar një ligj që ratifikon traktatin.
Në të përfshihet një deklaratë sipas së cilës traktati nuk kërkon nevojën e “prezantimit të ideologjisë gjinore”, në shkollat kroate, apo ndryshimin me kushtetutë të definicionit të martesës, si bashkim në mes të burrit dhe gruas.
Këtë konventë e kanë ratifikuar 28 shtete, duke përfshirë 17 shtete anëtare të Bashkimit Evropian.