Mijëra lëndë në gjykatat e Kosovës “pushojnë” në sirtarë
Mbi 236 mijë lëndë të ndryshme nëpër gjykatat e vendit janë në pritje për t’u zgjidhur. Gjykata Themelore e Prishtinës prin me më se shumti lëndë të pazgjidhura. Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor, në periudhën janar-qershor të vitit 2022 janë regjistruar 236 mijë e 329 lëndë të pazgjidhura në gjykata.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës në raportin për vitin 2022 thekson se Gjykata Supreme, Dhomat e Posaçme, Gjykatat e Apelit dhe ato Themelore kanë pasur mbi 295 mijë lëndë, ku 222 mijë janë lëndë të trashëguar, ndërsa janë pranuar 73 mijë e 276 të tjera.
Zvarritja e lëndëve sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, po ndodh për shkak të mos trajtimit të tyre brenda afateve ligjore,si dhe mos menaxhimi adekuat i lëndëve nga ana e gjyqtarëve.
“Jo vetëm në çështjet administrative, penale dhe komerciale por edhe planifikimi jo adekuat i KGJK-ës me shpërndarjen e gjyqtarëve nëpër gjykata në bazë të numrit të lëndëve. Në këtë drejtim, KGJK do të duhej që më shumë t’i kushtonte rëndësi planifikimit të shpërndarjes së gjyqtarëve nëpër gjykata në bazë të lëndëve dhe llogaridhënie të gjyqtarëve për lëndët dhe neglizhencën e tyre që nuk i përmbushin detyrat e tyre”, thotë IKD.
Sipas KGJK-së, një ndër arsyet e grumbullimit të lëndëve ishte edhe mungesa e gjyqtarëve nëpër disa departamente.
Mirëpo Ehat Miftaraj nga IKD thotë se KGJK ka arritur ta rrisë numrin e gjyqtarëve por që performansa dhe efikasiteti ka shënuar rënie.
“Paralelisht me numrin e rritjes së gjyqtarëve kemi parë që ka ndodhur e kundërta, në vend që të rritet numri i lëndëve të zgjidhura ka ndodhur e kundërta. Kjo nuk mund të merret si shkak si arsyetim që vetëm për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve kemi rritje të lëndëve”, tha Ehat Miftaraj nga IKD
Kurse Albana Hasani, nga Lëvizja FOL, thotë se një ndër shkaqet e grumbullimit të lëndëve nëpër gjykata është edhe ulja e pagave dhe dorëheqja e gjyqtarëve nga gjykata në veri të vendit. Sipas saj, në veri nuk ka gjyqësor funksional.
“Çështja e uljes së pagave e cila i dekurajon dhe demotivon gjyqtarët ta kryejnë punën me efektivitet dhe i inkurajon ata të kalojnë në një profesion tjetër siç është në avokati, pra, atje ku kanë më shumë leverdi”, tha Hasani.
Sipas të dhënave të KGJK-së, në gjykatat e Kosovës punojnë rreth 400 gjyqtarë, prej tyre 299 në Gjykata Themelore, derisa shërbyes civilë janë njëmijë e pesëqind e shtatë. Gjykata me më së shumti lëndë në pritje për shqyrtim është Gjykata Themelore, dega në Prishtinë, me mbi 63 mijë e 700 lëndë, e ndjekur nga Prizreni me mbi 15 mijë e 700 dhe Ferizaj me mbi 15 mijë e 60 lëndë.