Mijëra persona në Moldavi kërkojnë bashkim me Rumaninë
Ish-presidenti i Rumanisë, Traian Basescu u është bashkuar më shumë se 10,000 personave në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinjev në marshin që bënte thirrje për bashkim të Rumanisë me Moldavinë, raporton Rueters.
Bashkimi i anëtarit të Bashkimit Evropian, Rumanisë me Moldavinë duket proces që ka pak gjasa të ndodhë, mirëpo kjo çështje thekson dallimet në mesin e qytetarëve moldavë për qasjet e tyre pro-Perëndimore dhe fraksioneve politike që mbështesin lidhjet me Moskën.
“Ne i bëjmë thirrje deputetëve të parlamentit të Moldavisë dhe Rumanisë që të votojnë në një të ardhme të afërt bashkimin”, ka thënë Basescu, në marshin që shënonte 100-vjetorin e bashkimit të Moldavisë në Rumaninë e Madhe të dikurshme.
Ende nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga ana rumune.
Marshi ka qenë paqësor, ndonëse policia ka thënë se ka ndaluar 21 persona, të cilët sipas policisë kanë tentuar të prishin rendin e organizimit, përcjell REL.
Qeveria moldave favorizon më shumë lidhjet pro-Perëndimore dhe ato me Shtetet e Bashkuara andaj shpesh bie në konflikt me presidentin pro-rus Igor Dodon, i cili parapëlqen lidhjet me Moskën.
Nëse partia e Dodon fiton në zgjedhjet e këtij viti, ai ka premtuar se do të kalojë një ligj që ndalon organizatat që bëjnë thirrje për bashkim sepse sipas tij të njëjtat tentojnë të shkatërrojnë integritetin e shtetit, sepse kërkojnë të bashkohen me Rumaninë.