Mijëra protestues në Moskë kundërshtuan kufizimet në internet
Mijëra njerëz të dielën kanë dalë nëpër rrugët e Moskës dhe dy qytete të tjera ruse kundër kufizimeve të përdorimit të internetit. Kjo protestë konsiderohet ndër më të mëdhatë ndër vite.
Ligjvënësit muajin e kaluar kanë miratuar kontrollimin e internetit duke theksuar se është i nevojshëm për të parandaluar ndërhyrjet e jashtme në punët e Rusisë.
Njerëzit e mbledhur në Moskë kanë mbajtur fjalime dhe slogane me thirrjet “duart larg internetit” dhe “jo izolim”.
Në protestë janë mbledhur 15 300 persona, sipas raportimeve, ndërsa policia ka thënë se ishin 6 500.
Aktivistët e opozitës kanë thënë se janë ndaluar 15 persona dhe kanë konfiskuar pankartat e tyre.
Rusia në vitet e fundit ka vendosur kontroll të internetit duke bllokuar qasjen në disa uebfaqe.