Mijëra qytetarë kanë marshuar me moton ‘Drejtësi për Astritin’
Familjarë, miq, bashkëpartiakë dhe qytetarë të shumtë kanë marshuar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me moton “Drejtësi për Astritin” i cili ka vdekur në rrethana të dyshimta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.
Në trevjetorin e vdekjes së tij qytetarët kanë kërkuar nga institucionet përkatëse që të zbardhet vdekja e tij dhe përgjegjësit e saj të dalin para drejtësisë.
Gjatë këtij marshi qytetarët kanë mbajtur në duar pankartat me mbishkrimet “Unë jam Astriti”, “Drejtësi për Astritin”, “Drejtësi”.
Bashkë me familjen Dehari, liderin e Lëvizjes Vetëvendosjes (LV), Albin Kurti ka qenë i rreshtuar edhe kryetari e Aleancës për Shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, Zijadin Sela.
Gjithashtu në këtë marsh kanë marrë pjesë edhe aktivistë ish-bashkëpartiakët e Astritit, Shpend Ahmeti, Visa Ymeri dhe anëtarë të tjerë nga PSD-ja.
Marshi “Drejtësi për Astritin” nga sheshi “Skënderbeu” ka vazhduar te Prokuroria Speciale.