Mijëra qytetarë në vit heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës
Më shumë se pesë mijë qytetarë të Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës vetëm në vitin 2019. Kjo shifër po konsiderohet shqetësuese pasi që nënkupton që këta persona nuk e shohin Kosovën më si shtet të tyre.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, qytetarët e Kosovës të cilët kanë hequr dorë nga nënshtetësia dhe kanë zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian për ta marrë shtetësinë e re janë detyruar të ndërmarrin këtë veprim ngase disa shtete nuk e lejojnë dyshtetësinë. “Gjatë periudhës janar-dhjetor 2019, në Divizionin e Shtetësisë janë marrë 5 461 vendime për lirim nga shtetësia. Prej tyre 5 394 janë vendime pozitive, 67 vendime negative. Nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene e të tjera”, thuhet në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Sipas të dhënave, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5 000 mijë qytetarë. Trendi i lirimit nga nënshtetësia ka shënuar ngritje nga viti 2014.
Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) thotë se nëse analizohen trendët ndër vite të heqjes dorë nga shtetësia e Kosovës, atëherë shihet se kemi rritje të kësaj dukurie, të cilën ai e quan shqetësuese. “Duhet të fokusohemi edhe te shkaku pse po largohen dhe pse po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës këta qytetarë. Nëse iu referohemi statistikave të Bankës Botërore, sipas raporteve të tyre, papunësia te të rinjtë (në Kosovë) është diku rreth 50 për qind, derisa gjysma e popullsisë në Kosovë është nën moshën 30-vjeçare dhe trendi është i njëjtë në 5 vjetët e fundit. Po ashtu, nuk ka indikatorë që tregojnë se ky trend është duke u zvogëluar, prandaj shumë qytetarë, në veçanti të rinjtë, po e shohin si zgjidhje emigrimin nga Kosova dhe në momentin që ata e kanë mundësinë që të bëhen shtetas të ndonjë prej vendeve të BE-së, e bëjnë atë dhe heqin dorë nga shtetësia e Kosovës”, thotë Xhambazi.
Ai shton se nëse analizohen të dhënat e heqjes dorë nga nënshtetësia e Kosovës nga viti 2014 – 2016, ka një trend të rritjes dhe atë për 20 për qind. “Nëse i marrim shifrat që nga viti 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë, vërejmë që kemi një total prej 40 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë hequr dorë nga nënshtetësia. Kjo nuk ndodhë vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit”, thotë ai.
Të dhënat ndër vite të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë treguar për numër të madh të qytetarëve të cilët po e lëshojnë Kosovën. Në dekadën e fundit më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin.
Vendet ku qytetarët e Kosovës kanë emigruar më së shumti gjatë viteve 2010-2018 janë Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera.
Për periudhën 2016-2018, sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit. (REL)