Mijëra suedezë pozitivë për shkak të gabimit në teste
Rreth 3 700 njerëz në Suedi morën një rezultat të pasaktë se janë pozitivë me virusin “Korona” për shkak të një gabimi në pajisjet e testimit, të cilat mbërritën nga Kina, njoftoi sot Agjencia e Shëndetit Publik e këtij vendi.
Sipas agjencisë, pajisjet e kompanisë “BGI Genomics” nuk mund ta vërejnë ndryshimin midis nivelit shumë të ulët të infeksionit dhe rezultatit negativ, raporton “Reuters”.
“Furnizuesi duhet të rregullojë performancën e kërkuar për të përdorur këtë test,” tha Karin Tegmark Visel, drejtuese e Departamentit të mikrobiologjisë.
Ajo shtoi se e njëjta pajisje testimi u eksportua në vendet e tjera, por nuk dha detaje në lidhje me këtë.
Rezultatet e gabuara kishin pak efekt në statistikat mbi numrin e personave të infektuar me virusin “Korona”.
Agjencia njoftoi sot se nga shpërthimi i pandemisë, janë konfirmuar 86 891 raste të koronavirusit, ndërsa 5 814 njerëz kanë vdekur.