Mikrobiologu Raka: Nëse nuk respektohen masat do të ketë rritje enorme të rasteve me Covid-19

10 maj 2020 | 14:07

Kosova ka fituar betejën kundër korona virusit, por jo edhe luftën. Lehtësimi i masave nuk nënkupton fitoren ndaj virusit dhe kthimin në normalitet. Vendi nuk do të ketë mundësinë që të kthehet në normalitet, ashtu siç ka qenë me 12 mars, një ditë para konfirmimit të rasteve të para. Mikrobiologu Lul Raka, ka deklaruar se zhdukja e tërësishme e pandemisë Covid-19, mund të bëhet vetëm pasi të zbulohet vaksina, e që mund të zgjasë deri një vit.

Raka për “Kosovapress” ka thënë se është e pritshme që ditëve në vijim të ketë rritje të lehtë të rasteve, gjë për të cilën sipas tij, duhet që të përgatitemi në mënyrë që të bashkëjetojmë me virusin, por duke pasur kujdes maksimal.

“Ditëve të fundit, sidomos javën e fundit kemi pasur ulje të madhe të rasteve të reja, dhe ka pasur rritje të rasteve të personave të shëruar. Kemi pasur 87 me 1, (1,4,1), i kemi pasur rastet ditëve të fundit. Kurse numri 8 dje i djeshëm, ky numër është i pritshëm nëse merret parasysh që me lirimin e masave dhe nëse marrin parasysh edhe daljen e njerëzve që ka pasur ditën e parë, rezultati shihet për periudhën më të shpejtë të inkubimit, ajo është pesë ditë deri në gjashtë ditë. Është i pritshëm, një rritje e lehtë e rasteve”, ka thënë Raka.

Raka është shprehur kritik me mosrespektimin e masave ditëve të fundit. Sipas tij, paraqitja e numrit më të vogël të rasteve, nuk do të thotë që qytetarët të relaksohen dhe të kthehen në normalitet. E nëse të njëjtit do të veprojnë kështu, Raka ka paralajmëruar se do të ketë rritje enorme të rasteve ditëve në vijim.

“Me atë që kemi përmend edhe ditëve të fundit, sidomos gjatë dy javëve të fundit ka qenë se virusi është ende këtu pari. Dhe ne nuk e kemi fituar luftën, e kemi fituar betejën. Një betejë të fazës së parë, e cila ka qenë e menaxhueshme. Dhe nëse i shihni shifrat të rasteve të hospitalizuara dhe të vdekjeve krahasuar me shtetet tjera, do të thotë qëllimi kryesor i masave restriktive ka qenë që të mbahen dhe të mos tejkalohen kapacitet e menaxhueshme të Kosovës. Por, kjo assesi nuk do të thotë që lirimi i masave nuk e kupton fitoren ndaj virusit dhe kthimin në normalitet. Nuk ka kthim në normalitet në datën e 12 marsit, një ditë para se me u vërtetuar rasti i parë”, shton ai.

Mikrobiologu Lul Raka ka vlerësuar se për daljen masive të qytetarëve në ambiente të hapura, rezultatet nuk do vërehen për 24 orë, por pasojat e neglizhencës së tyre, do të vërehen 14 ditë më vonë.

“Unë apeloj që të kenë kujdes, sepse normalisht nuk mund të mbesim mbyllur derisa ta gjejmë vaksinën edhe duhet me u liru masat. Mirëpo ky lirim i masave duhet të shkoj me përgjegjësinë e qytetarëve për të zbatuar masat parandaluese. Në mënyrë që të mos ketë rritje enorme. Në mënyrë që të mos ketë edhe rritje të numrit të atillë, i cili i tejkalon kapacitet menaxhuese të Kosovës”,ka thënë Raka, duke shtuar se në sezonin vjeshtore Kosova do të ballafaqohet me dy armiq, atë të koronavirusit dhe gripin sezonal.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 870 raste me Covid-19, prej tyre 653 janë shëruar, ndërsa 28 kanë humbur” betejën” e luftimit të kësaj sëmundje.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lojtari i tretë i klubit të Premier Leagues, Brighton &…