Mikrobiologu: Viruset fillojnë në vjeshtë e mbyllen në pranverë
Lul Raka, mikrobiolog, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se një i prekur me Covid 19 i infekton mesatarisht një deri në tre persona.
Ai shtoi se numri më i madh i të prekurve me koronavirusin e ri është pas identifikimit të rasteve të para dhe përcjelljes së kontakteve të tyre. Kjo periudhë mund të marrë kohë dy deri katër javë por, ai tha se parashikim i saktë është vështirë të jepet.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat po përballen aktualisht institucionet shëndetësore në Kosovë me rastet e koronavirusit?
Lul Raka: Pandemitë e tilla përcillen me sfida në të gjitha shtyllat e përballjes dhe reagimit, siç janë: koordinimi, mbikëqyrja, hulumtimi epidemiologjik, kontrolli në pikat e hyrjes, kapacitetet laboratorike, parandalimi dhe kontrolli i infeksionit, menaxhimi i rastit dhe logjistika. Por, këtu kryefjala është disiplina dhe zbatimi i masave nga populli. Fatkeqësisht, këtyre sfidave iu shtua edhe një barrë e rëndë në kohën e gabuar – konsensusi mes akterëve politikë.
Radio Evropa e Lirë: Bazuar në rastet e para, nëse merret si bazë praktika e vendeve tjera, kur pritet të jetë, kushtimisht thënë, periudha kohore e një numri më të madh të të prekurve me këtë virus?
Lul Raka: Numri më i madh është pas identifikimit të rasteve të para dhe përcjelljes së kontakteve të tyre. Kjo periudhë mund të marrë kohë 2 deri 4 javë, por një parashikim i saktë i lakores është vështirë të jepet.
Radio Evropa e Lirë: Deri në sa persona mund t’i infektojë një i prekur me COVID-19?
Lul Raka: Një i prekur me COVID-19 i infekton mesatarisht një deri në tre persona. Ka raste, si për shembull në Stubëll, kur një person infekton të gjitha kontaktet në shtëpi dhe rasti tjetër i një çifti të infektuar amerikan, të cilët kanë pasur kontakt të ngushtë me 347 persona, por asnjë nuk doli pozitiv në test.
Radio Evropa e Lirë: A e zbaton Kosova protokollin e njëjtë me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për këto raste?
Lul Raka: Kosova zbaton protokollet e OBSH-së dhe ECDC-së (Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve) në të gjitha nivelet e reagimit.
Radio Evropa e Lirë: Pse është e rëndësishme të qëndrojnë njerëzit të izoluar nëpër shtëpi?
Lul Raka: Qëndrimi në shtëpi e ndërprenë zinxhirin e përhapjes nga njeriu në njeri, e parandalon përhapjen e mëtejme, redukton intensitetin e epidemisë dhe e ulë numrin e rasteve të reja. Kjo njëkohësisht, i mundëson sistemit shëndetësor të përgatitet për fluksin eventual të rasteve të reja.
Radio Evropa e Lirë: Kur mund të parashihet të fillojë rënia e rasteve me të infektuar, a ka ndonjë parashikim nga infektologët?
Lul Raka: Nuk mund të thuhet saktë, por zakonisht viruset e rrugëve respiratore që fillojnë në vjeshtë e përmbyllin ciklin në pranverë ose verën e hershme. Parashikimi është dy deri në katër javët pasuese.
Radio Evropa e Lirë: Sa mund të zgjasë faza e shërimit të një pacienti?
Lul Raka: Kjo varet nga pasqyra klinike e sëmundjes. Te rastet e lehta, prej momentit të shfaqjes së simptomave, deri te shërimi shkon deri në dy javë, kurse te rastet e rënda shërimi mund të zgjasë prej tri deri në gjashtë javë.