Mikrofinancat me fitime rekorde, 12.9 milionë euro fitim deri në nëntor
Sektori mikrofinanciar në Kosovë deri në nëntor të vitit 2021, ka arritur të regjistrojë 12.9 milionë euro fitim neto.
Krahasuar me muajin tetor, kur profiti neto i institucioneve mikrofinanciare ishte 11.8 milionë euro, në muajin nëntor fitimet u rritën për për 1.1 milionë euro.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “SISTEMIT FINANCIAR, INFORMATA MUJORE NËNTOR 2021”, të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 44.4 milionë euro në muajin nëntor, përcjell Buletini Ekonomik.
Krahasuar me një muaj më herët, pra me muajin tetor, të hyrat u rritën për 4.2 milionë euro, pasiqë deri në tetor shuma e të hyrave tek institucionet mikrofinanciare ishte 40.2 milionë euro.
Nga gjithsej 44.4 milionë i të hyrave në muajin nëntor, 39.4 milionë prej tyre ishin të hyra vetëm nga interesi.
Ndërkohë, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar në muajin nëntor kapën vlerën e 30.7 milionë eurove. Nga e gjithë kjo shumë e shpenzimeve, 17.2 milionë prej tyre ishin për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative, ndërkohë 7.3 milionë euro të tjera shkuan për shpenzime të interesit.
Ndërkaq, kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në fund të muajit nëntor arritën në 238 milionë euro, ku 157 milionë euro u lëshuan për ekonomitë familjare, ndërsa 81 milionë të tjera u dhanë për korporata jo financiare. Kurse norma e interesit në kredi u shpreh në një përqindje prej 18.8%.
Ndryshe, në Kosovë funksionojnë gjithsej 30 institucione mikrofinanciare, ku 12 prej tyre janë në pronësi të huaj. Numri i degëve të këtyre institucioneve në vend është 158, ndërkohë që numri i të punësuarve është 1 mijë e 284./ Buletini Ekonomik/