Miku i Astrit Ademajt: Dje u ndamë për të mos u bërë bashkë më, atë e vranë dhe kështu mbetëm
Arton Muhaxheri, bashkëpunëtori i ngushtë i Astrit Ademajt, ka thënë se të gjitha informacionet që i kanë deri tani nga organet e hetuesisë për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur mbrëmë në Pejë është se janë duke vazhduar hetimet, duke shtuar se ende nuk i dinë shkaqet e kësaj vrasje.
Ai në Info Magazine në Klan Kosova ka theksuar se dje gjatë tërë ditës kishte qenë bashkë me të ndjerin Ademajn dhe se nuk e kishte vërejtur asnjë shqetësim tek ai.
“Informatat që i kemi nga prokuroria, policia, hetuesia nga të gjitha organet, janë se hetimet vazhdojnë. Ende nuk e dimë se pse janë vrarë dy persona, ende nuk kemi informata”.
“Dje ishim tërë ditën bashkë nga ora 09:00 e mëngjesit deri në ora 18:00 në mbrëmje në kuadër të fushatës zgjedhore. Aty jemi ndarë për të mos u bërë bashkë më sepse atë e vranë dhe kështu mbetëm. Ai asnjëherë nuk ka dhënë asnjë shenjë as ditëve të kaluara, por as edhe dje që ka pas ndonjë shqetësim apo problem. Është e çuditshme krejt kjo çka ka ndodhur”, ka thënë Muhaxheri.
Ai ka deklaruar se nuk ka ndonjë informacion se ai kishte folur me familjarët apo miqtë e tij për ndonjë problem.
“Me këta familjar që kam biseduar, Astriti nuk ka shprehur ndonjë shqetësim. As tek unë si shok i ngusht, as te miqtë e tjerë dhe tek asnjë familjar nuk ka shprehur asnjëherë ndonjë shqetësim”.
Miku i Astritit ka folur për marrëdhënien që ka pasur Ademaj bashkë me Blerand Kadrijajn, që ka mbetur i vdekur mbrëmë në të njëjtin vend.
“Nuk e di saktë çfarë marrëdhënie kanë pasur, ne jemi njohur me Blerandin, ka qenë bashkëpartiak. Herën e kaluar të tre kemi pirë kafe, nuk e di çfarë ka ndodhur, nuk e kam pasur idenë më të vogël”.
Muhaxheri pohoi se nuk ka vërejtur ndonjë problem mes dy të ndjerëve para se të vdisnin.
“Blerandi ka qenë kandidat për Deçanin, shpesh jemi parë në ato periudha, nuk kanë pasë kurrë asnjë problem mes veti, nuk e kam vërejtur që kanë pasur ndonjë problem”.
“Ata të dy nuk e di që kanë pasur takime kohëve të fundit, unë të paktën nuk kam informacione. Astriti asnjëherë nuk e ka shprehur asnjë lloj shqetësimi, ose që ka ndonjë problem me Blerandin, ose dikë tjetër. Kjo për ne është e paqartë, enigmatike shumë”.
“Prej kur ka filluar fushata, Blerandi asnjëherë nuk ka ardhur kah Peja, të paktën se kam parë, as me Astritin prej kur e kemi filluar fushatën këto ditë se kam parë”, ka thënë Muhaxheri.
Ai shtoi se nuk mendon se kjo ngjarje lidhet me politikën.