Milaim Zeka hap fushatën, kritikon ashpër liderët e partive tjera politike
Kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës (PEK), Milaim Zeka, ka hapur sot zyrtarisht fushatën elektorale duke kritikuar oponentët e tij politikë.
Ai ka thënë se klasa aktuale politike, tash e dy dekada e ka vjedhur popullin e Kosovës.
“Kjo klasë politike që 20 vjet e shiti tërë pasurinë e këtij vendi. Kjo klasë politike e ka sjellë qytetarin e Kosovës përpara dilemës a ta vrasë veten apo të iki nga Kosova. Kjo klasë ka bërë që një numër i ushtarëve të UÇK-së të vrasin veten pas luftës”.
“Kjo klasë e ka poshtëruar Adem Demaçin, e shumë njerëz të tjerë duke sjellë ministra e zëvendësministra, njerëz që kanë qenë pjesë e shërbimit sekret. Këta njerëz të tipit të Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit e Ramush Haradinajt që e dinë me emër e më mbiemër se kush e ka spiunuar Kosovën edhe para luftës, janë bërë bashkë me këtë kor të fëlliqur për ta fëlliqur Kosovën”, ka thënë Zeka.
Sipas Zekës liderët e partive tjera politike nuk kanë turp për gjendjen në të cilën e kanë sjellë Kosovën.
“Janë këta politikanë që për një vit kanë shpenzuar 12 milionë euro dreka darka, udhëtime zyrtare dhe prostituta, sepse këta e kanë kthyer Kosovën në vend të prostitucionit”, ka thënë Zeka.