Milaim Zeka: Llugë në Prishtinë, e më llugë në Tiranë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se asgjë nuk është duke ecur mirë në Prishtinë dhe Tiranë.
Zeka në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar së në Kosovë nuk është duke funksionuar, as Kuvendi, as Qeveria dhe as opozita.
“Është e vështirë, e pamundur me kuptu politikë shqip. Sapo dëgjova fjalimin e Thaçit në Tiranë, përpara diasporës shqiptare. Të gjithë e duartrokiten. Asnjë fjalë pa vend. Kthehem tek fjalimet e kryeministrit, çdo gjë me vend. Edhe liderët e tjerë, të gjithë fjalë me vend. Kthehesh e i dëgjon diplomatet perëndimorë, edhe ata po flasin me vend. Po është një problem: të gjithë e dimë se asgjë nuk po na ece mirë. Parlamenti nuk po funksionon. Qeveria copë-copë. Deputetët copë-copë. Asnjeri me qëndrim të vetin. Kalojmë tek opozita. Ajo hala më keq se pozita. Se ku do të përfundojmë, as Zoti nuk po e di. Llugë në të gjitha anët. Llugë në Prishtinë, edhe më llugë në Tiranë. Nuk ka mbet gjë tjetër përpos lutja e gjyshes time: ‘Zoti hajer e baftë, se ma keq s’ ka ku shkon…!!!”, ka shkruar Zeka.
/Epoka e re/