Milan – Inter, sfida që fiton botën
Derbi i “Madonnina”-s në mes të Milanit dhe Interit nuk është si ai i viteve të kaluara, por kjo nuk e ka ulur aspak interesin e tifozëve të futbollit.
Edhe pse nuk janë në pozitat që kanë pasur dikur, Milani dhe Interi vazhdojnë të kenë admiruesit e tyre dhe ta ndajnë Milanon në dy pjesë. Por, interesi për këtë sfidë është i madh edhe jashtë Italisë. Në fakt, sfida e së mërkurës do të transmetohet në 181 vende të botës dhe do të mbërthejë para ekranit 728 milionë persona. Ata që janë më me fat, janë 75 mijë personat që kanë mundur t’i gjejnë biletat për ta ndjekur këtë supersfidë në shkallët e “Giuseppe Meazzas” në “San Siro”.
Interesi për derbin e “Madonninës” do të jetë i madh edhe në Hong Kong apo Kinë, vendet ku banojnë presidentët kinezë të dy klubeve, ndërkohë që kjo ndeshje pa dyshim do të transmetohet në të gjithë Evropën dhe Afrikë. Ndeshja mes Milanit dhe Interit merr një vlerë shumë të madhe për të dyja skuadrat. Kuqezinjtë janë 8 pikë larg Interit dhe një fitore ndaj zikaltërve u jep mundësinë të mbajnë gjallë ëndrrën për zonën Ligën e Kampionëve si dhe të jenë plotësisht në garë për atë të Evropa Ligës.
Nëse do të jetë Interi ai që do të fitojë, atëherë zikaltrit do të ngjiten në vendin e tretë me 1 pikë më shumë se Roma. Ndërkaq ka ndryshuar edhe gjendja e skuadrave në prag të këtij derbi. Një muaj më parë Interi vinte në këtë përballje pas një sërë barazimesh e disfatash në Genova, ndërsa tani është në një formë shumë të mirë me tetë gola të shënuar në dy ndeshje duke mposhtur bindshëm Sampdorian e Veronën. Milani është në drejtim të kundërt. Përpara një muaji, Milani vinte pas një serie prej 13 ndeshjesh me rezultate pozitive, kurse tani për kuqezinjtë ky derbi vjen pas eliminimit në Evropa Ligë dhe humbjes në Torino ndaj Juventusit.