Milani “blindon” Gattuson
06 prill 2018
| 12:21
Pritja merr fund dhe tashmë Genaro Gattuso konfirmohet në stolin e Milanit edhe për tre sezonet e ardhshëm.
Pas shumë zërash mbi rinovimin, tekniku e ka firmosur të enjten kontratën e re me kuqezinjtë, që do t’i mbajë të lidhura palët deri në vitin 2021. Ky është një shpërblim për punën e mirë të Gattusos, që ka arritur t’i bindë drejtuesit e klubit në pak më tepër se katër muaj, se ai është i aftë për ta drejtuar projektin e Milanit.
“Nuk na u desh shumë të negocionim me Gattuson. I treguam projektin tonë, që mbetet shumë ambicioz dhe menjëherë ramë dakord që ai është njeriu i duhur për ta drejtuar skuadrën në tre vjetët e ardhshëm”, u shpreh drejtori sportiv i Milanit, Marco Fassone.