Milani dhe Chelsea projektojnë ndërrimin e dy sulmuesve
Një lëvizje e bujshme në afatin kalimtar të janarit po projektohet në aksin Milano-Londër, me një “ndalesë” edhe në Torino.
Chelsea është prej kohësh në kërkim të një sulmuesi të nivelit të lartë dhe trajneri Sarri duket se ia ka vënë syrin Gonzalo Higuainit. Aventura e argjentinasit te Milani nuk po shkon ashtu siç pritej dhe, sipas “Sky Sports”, nga Londra duan ta afrojnë që në muajin janar.
Për të shkuar te ky operacion, Chelsea pritet ta përfshijë edhe Alvaro Moratën, i cili kërkohej në verë nga Milani, por në fund nuk u arrit. Milani për momentin e ka në huazim “El Pipitën”, për 18 milionë euro, me të drejtën e blerjes përfundimtare, duke paguar edhe 36 milionë euro të tjera. Pra, për të arritur te marrëveshja mes Milanit dhe Chelseat, do të duhet edhe miratimi i Juventusit në Torino që, sipas “Sky Sports”, ende nuk e ka thënë fjalën e vet.