Milani fiton në Torino pas 10 vitesh
Milani zhvilloi një ndeshje të madhe, fitoi 0-3 ndaj Juventusit dhe ka hedhur një hap të sigurt drejt rikthimit në Champions League sezonin e ardhshëm.
Kuqezinjtë nuk fitonin një ndeshje kampionati në Torinon bardhezi prej marsit të vitit 2011, teksa konfirmohen skuadra më e mirë në transfertë këtë sezon.
Brahim Diaz zhbllokoi takimin me një eurogol në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Ekzekutim perfekt i 21-vjeçarit spanjoll dhe topi në trekëndësh. Ekipi i Stefano Piolit fitoi një penallti në minutën e 58-të, por polaku Wojciech Szczesny priti goditjen e Kessie.
Miqtë nuk u demoralizuan dhe mbyllën sfidën me golin e Ante Rebic në minutën e 78-të. Goditje mjeshtërore e sulmuesit kroat dhe 0-2 për Milanin. Mbrëmja e errët e bardhezinjve nuk kishte mbaruar akoma, pasi Fikayo Tomori shënoi edhe golin e tretë të “Djallit”.
Mbrojtësi anglez kërceu më lart se të gjithë në minutën e 82-të dhe finalizoi me kokë një kros të Hakan Calhanoglu, duke gjetur golin e parë në Serie A. Përfundimisht 0-3 për Milanin, që i bashkohet Atalantës në vendin e dytë, ndërsa Juventusi rrezikon seriozisht të mbetet pa Champions League.