Milani interesohet për Rashicën
Sulmuesi i krahut te Përfaqësuesja e Kosovës, Milot Rashica, shihet si përforcim i duhur te skuadra e Milanit, që ka shprehur interesim për shërbimet e tij.
Sajti italian “Calciomercato” ka njoftuar të hënën se Milani tashmë ka shënjestruar Rashicën si njërin prej përforcimeve për afatin kalimtar të janarit.
Madje ekipi italian thuhet se në ndeshjen e fundit të Werder Bremenit e ka përcjellë nga afër Rashicën.
23-vjeçari këtë edicion ka shënuar tre gola dhe ka bërë një asistim në pesë paraqitje për Werderin, me të cilin ekip ka kontratë deri në verën e vitit 2022.
“Sulmuesi i Werderit, Milot Rashica, është njëri prej sulmuesve që Milani po synon ta transferojë gjatë janarit. Edhe pse vlera e tij shkon deri në 25 milionë euro, te Milani janë të bindur se Rashica është opsioni më i mirë i mundshëm”, ka shkruar “Calciomercato”.
Rashica në janar të vitit të shkuar iu bashkua Werderit nga Vitesse për shtatë milionë euro dëmshpërblim.
Rashica ka 24 ndeshje dhe katër gola të shënuar me Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën debutoi para tre vjetësh.